E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurozona del nga gjendja e recesionit I bashkohet SHBA-së dhe Japonisë

16 vendet e Eurozonës u janë bashkuar zyrtarisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë për sa u përket rezultateve të fundit ekonomike, sipas të cilave kjo zonë thuhet se ka dalë nga situata e recesionit. Kjo vjen pas shifrave të publikuara dje që flasin për një rritje ekonomike në tremujorin e katërt të vitit. Megjithatë, kjo rritje e raportuar nga zyra e statistikave e Bashkimit Europian, Eurostat, nuk ka qenë më e madhe se 0.6%. Ekonomitë më të mëdha të kësaj zone janë ato të Gjermanisë dhe të Francës që përkatësisht pësuan një rritje prej 0.7% dhe 0.3%. Këto rezultate, edhe pse jo shumë të larta, flasin për një rritje ekonomike në krahasim me situatat e dëshpëruara të dy viteve të fundit, të cilat e futën Eurozonën në një recesion më të thellë të provuar që pas Luftës II Botërore. Recesioni ishte pjesërisht i ashpër në fillim të vitit aktual. Shkalla e rënies ekonomike është shumë e qartë nëse do të krahasohen situatat e viteve të fundit me ato të viteve të mëparshme. Por me gjithë rritjen modeste të kësaj periudhe, ende është e largët koha kur kjo zonë do t‘u rikthehet niveleve ekonomike të periudhës para krizës. Ndryshimi i situatës do të jetë gradual dhe do të kërkojë një periudhë relativisht të gjatë. Ndryshimet do të jenë të pjesshme dhe afatshkurtra, nëse politikëbërësit nuk do të bëjnë më shumë për të zgjidhur problemet financiare dhe mbi të gjitha ato të papunësisë. Ky fenomen është shumë i ndjeshëm në Spanjë, madje në masën 19.3%. Megjithatë, fakti që kjo zonë është zyrtarisht jashtë recesionit është gjithsesi një hap i mirë përpara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithashtu kanë shënuar shifra të mira rritjeje tremujorin e tretë të vitit, ndërsa Japonia ka dalë nga recesioni tre muaj më parë. Kjo do të thotë që një pjesë e mirë e vendeve të përfshira nga kriza, tashmë po shkojnë drejt përmirësimit, pra nuk janë në një gjendje rreziku akut. Por Eurozona duke qenë një zonë në të cilën bëjnë pjesë ekonomi të ndryshme doli më vonë nga situata e kolapsit. Ndërsa ka ekonomi që kanë përparuar, të tjera kanë bërë hapa pas si Spanja, apo Italia. Kryesisht shkaku i këtyre "shembjeve" ka qenë problemi i madh me tregun e pasurive të patundshme. Ato kanë rrezikuar seriozisht që recesioni të shndërrohej në depresion. Sipas Eurostatit, i gjithë Bashkimi Europian në tërësi, në të cilin përfshihen edhe vende jashtë Eurozonës si: Britania e Madhe dhe Suedia, është gjithashtu jashtë recesionit. Sigurisht që shkalla e rritjes ekonomike e BE-së ishte më e ulët se ajo e Eurozonës, pjesërisht për shkak të tkurrjes së ekonomisë britanike me 0.4%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›