E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, pak progres në ekonominë e dijes

Menaxherja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Camille Nuamah, thotë se moszbatimi i ligjeve, ndryshimet e vazhdueshme të kuadrit rregullator dhe investimet e pakta në teknologjinë e informacionit dhe arsimit, rrezikojnë të reduktojnë normën e rritjes ekonomike në Europën Juglindore.

Gjatë dekadës së fundit është bërë shumë pak progres në zhvillimin e një ekonomie me bazë dijen dhe ka një stanjacion në ambientin ekonomik që bën që dija të mos përdoret në mënyrë efikase për zhvillimin. Sipas një raporti të publikuar së fundmi nga Banka Botërore, Shqipëria renditet e 93-a nga 145 vende të analizuara, shumë më poshtë se vendet e tjera të rajonit. Bosnja është më pranë nesh në vend të 79, ndërsa Maqedonia është e 58-a dhe Serbia e 53-a. Por, përveç faktit që rajoni ynë renditet më keq se vendet e tjera, problemi qëndron se nuk ka as ndonjë përmirësim. Pozicioni i Shqipërisë përballë botës rezulton i përkeqësuar me një pikë në krahasim me vitin 1995. Treguesit ku bazohet indeksi i ekonomisë së dijes analizojnë tiparet strukturore të një ekonomie dhe zakonisht ndryshojnë shumë ngadalë. Përmirësimet në këtë tregues kërkojnë ndryshime rrënjësore institucionale dhe investime afatgjata infrastrukturore në universitete, teknologji informacioni, si edhe më e rëndësishmja, në themelimin e institucioneve dhe politikave që mundësojnë transformimin e dijes në novacion dhe prodhim, shpjegon Camille Nuamah, menaxherja e Bankës Botërore për Shqipërinë.

"Për shkak të nivelit të ulët fillestar të infrastrukturës dhe cilësisë institucionale, Ballkani Perëndimor si i tërë dhe Shqipëria në veçanti e kanë të vështirë të ngjisin shkallët në këtë vlerësim botëror", thotë Nuamah. Në shembullin e Shqipërisë, incentivat ekonomike dhe regjimi institucional, si edhe cilësia e institucioneve rregullative apo sundimi i ligjit janë përkeqësuar sot në krahasim me vitin 1995. Nga ana tjetër, tek arsimimi dhe novacioni është vërejtur një progres i lehtë.

"Shqipëria ka renditje të keqe në të gjithë treguesit e rëndësishëm. Gjithsesi, gjatë viteve të fundit ka përpjekje për investime drejt ekonomisë së dijes, veçanërisht përmes miratimit të disa ligjeve të rëndësishme si firma dixhitale etj.", tha ajo.

Sipas saj, "nëse cilësia rregullatore përmirësohet, por sundimi i ligjit përkeqësohet, si investitorët e huaj, ashtu edhe ata vendas do të përballen me pasiguri për investimet e veta në Shqipëri".

Vendet e rajonit tonë kanë qenë të zënë me transformimin nga ekonomi plani në ekonomi tregu dhe për këtë pasojë, nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje ekonomisë së dijes. Por, pavarësisht shkakut, pasojat afatgjata në ekonominë reale mund të jenë të rënda.

Ekonomia e dijes është një koncept i zhvilluar në fund të viteve ‘70 dhe konsiston në faktin se eficensa ekonomike e një ndërmarrjeje apo një shoqërie varet nga sasia e njohurive të punëtorëve, menaxherëve dhe shoqërisë (në rastin e dijes së shoqërisë pranohet se mangësitë shfaqen në keqfunksionimin e institucioneve).

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›