E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush e paguan realisht TVSH?

Duke marrë në konsideratë një analizë të fundit për TVSH-në, pyes: Kush e paguan vërtet TVSH-në në Shqipëri? Kjo pyetje kërkon me të vërtetë "identitetin" e atij që mbart barrën e këtij tatimi. Personi ligjërisht përgjegjës për pagimin e TVSH-së është sigurisht i parëndësishëm për përgjigjen e pyetjes se kush e paguan realisht TVSH-në?

Mendoni, për shembull, një artikull që shitet për 100 lekë përpara vendosjes së TVSH-së. Në qoftë se shitësi thjesht zbaton të njëjtin çmim si më parë dhe shton një TVSH 20%, duke e shitur mallin me një çmim përfundimtar 120 lekë, atëherë blerësi e paguan TVSH-në, sepse ajo është zhvendosur tërësisht nga shitësi tek ai. Nga ana tjetër, shitësi mund ta ulë çmimin e tij duke ulur bazën e tatueshme me 84 lekë dhe pasi ka zbatuar një TVSH 20% ai shet mallin me një çmim përfundimtar të shitjes prej 98.8 lekë. Në këtë rast, shitësi vetë do të paguajë TVSH-në, ose në version më pak të dhimbshëm për shitësin, ai mund të ulë çmimin e tij pjesërisht, duke zhvendosur një pjesë të tatimit për te konsumatori. Çfarë mund të ndodhë në realitet do të varet nga reagimi i shitësit dhe blerësit të lidhur me elasticitetin e çmimit sipas ofertës dhe kërkesës. Ne dimë aq pak rreth këtyre faktorëve në vendin tonë, saqë pak mund të depërtojmë në kompleksitetin e marrëdhënieve të palëve në treg, si edhe tendencën tatimore, nëse është zhvendosur tërësisht ose pjesërisht nga shitësi për te konsumatori përfundimtar. Edhe me këtë supozim, kjo marrëdhënie është një çështje e hapur për të përcaktuar nëse një TVSH është progresive, apo regresive në një treg me ekonomi pa bursë kapitali dhe pa studime serioze të tregut.

Për të analizuar ndikimin e shpërndarjes së TVSH-së, ka nevojë të llogaritet pagesa mesatare e saj si një përqindje e një baze të përshtatshme për secilin grup familje. Por, shpesh të dhënat përkatëse, thjesht nuk janë në dispozicion. Për shembull, nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar të ardhurat e familjeve, kështu që konsumi më së shumti mund të përdoret si një bazë informacioni alternativ. Nga ky aspekt mund të thuhet se mirëqenia e njerëzve nuk mund të merret nga të ardhurat, por vetëm nga konsumi, si më i arsyeshmi ndër faktet, por jo më i nevojshmi.

Nisur nga elementi i konsumit për familje në Shqipëri, vërehet se familjet që paguajnë TVSH-në më shumë si pasojë e zhvendosjes së barrës së saj tek ata janë konsumatorët e qyteteve të mëdha dhe kryesisht metropoli Tiranë-Durrës dhe kryesisht zonat që përballen me turizmin.

Më pak TVSH paguajnë familjet e zonave fshatare, si edhe zonat ku të regjistruarit në TVSH nuk kanë rrjetin e tyre të shpërndarjes, pra ku ka shumicë aktivitetesh që konsiderohen në fjalorin jozyrtar si biznes i vogël.

Por kush duhet që të paguajë?

Dy probleme kritike për tatimet janë të parët në listën e "pritjes" për t‘u zgjidhur. I pari, që të identifikojnë dhe burimet për të zgjeruar bazën e TVSH-së dhe i dyti, për të zbatuar politikat shtrënguese për arkëtimin e TVSH-së, duke mos toleruar erozionin e "bazamentit" të TVSH-së. Në trajtimin e problemit të parë duhet të studiohet me kujdes "anonimiteti" dhe lëvizshmëria e kategorisë së biznesit që nevojitet të jetë pjesë e bazës. Kjo është detyra më e vështirë. Në këtë rast informacioni i që mund të shtyjë "botën e biznesit të vogël" të kontaktojë me TVSH-në është ai që përhapet nëpërmjet gjithë instrumenteve të botës dixhitale, duke prezantuar me shembuj dhe raste konkretë se çfarë ndikimi jep mbi familjet e tyre përplasja me TVSH-në. Në të njëjtën kohë, kjo mënyrë komunikimi e bën më të lehtë për administratën tatimore që të përmirësojë shërbimet dhe të zvogëlojë shpenzimet. Teknologjia e re dhe futja e informacionit të administratës tatimore nëpërmjet saj drejt e te konsumatori mund të bëjë më të lehtë për të ruajtur dhe zgjeruar bazën e tatimpaguesve dhe rritjen e TVSH-së neto (TVSH e mbledhur minus rimbursime).

Edhe pse, biznesi i vogël nuk e paguan TVSH-në, ai e kryen shitjen e mallrave dhe shërbimeve në nivele të njëjta me bizneset që paguajnë TVSH. Pra, realisht ata e fusin në familjet e tyre vlerën e shtuar që ua mbledhin konsumatorëve. Pra, për atë biznes të vogël që nuk kupton se kjo që ka bërë është një vjedhje e lekëve për çdo ditë të vitit nga xhepat e klientëve, që në fakt nuk kanë pse të paguajnë TVSH për kafen që pinë, për ujin që blejnë, për riparimin e makinës nëse shitësi nuk e çon këtë TVSH në buxhet.

Ndryshe, këta biznesmenë nuk mund të quhen ndryshe përveçse matrapazë, ashtu si quheshin dikur ata që pasuroheshin jo sipas rregullave të etikës së tregtarit, por duke shfrytëzuar brishtësinë e shtetit dhe forcës së veprimit të ligjit.

A mund të bindet tregtari i vogël se si është e ardhmja e tij?

Për çdo problem ka edhe një zgjidhje. Mundësia për të bindur tregtarët e vegjël, se ligji është i mundur për t‘u zbatuar nga shqiptarët pa përdorur forcën e tij, gjendet në informacionin masiv dhe të qartë drejt e në mendjet e tyre. Por, përveç formës klasike të komunikimit nëpërmjet punonjësve të shtetit, sot mund të përdoren mjetet e kohës dixhitale. Revolucioni teknologjik sjell me vete edhe mundësinë e zgjidhjeve teknologjike. Një zgjidhje e mundshme, për shembull, mund të jetë thjesht për të kërkuar që, në mënyrë që të jenë ligjërisht të vlefshme, një transaksion duhet të jetë i koduar gjeografikisht me vendndodhjen fizike të blerësit dhe shitësit. Në fakt, TVSH-ja ka në thelb këtë për transaksionet, duke zhvendosur përgjegjësinë nga shitësi te blerësi, i cili sot është dukshëm i lidhur me një përgjegjësi tatimore jashtë skemës së TVSH-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›