E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA - Japoni, premtime për një marrëdhënie të re

Presidenti amerikan, Obama, dhe Kryeministri i ri i Japonisë, Yukio Hatoyama, i kanë premtuar njëri-tjetrit dje rigjallërimin e marrëdhënieve të tyre, ndërsa u duhet që të përshtaten me ndryshimin e madh të kalimit të Kinës në vendin e dytë në botë për sa i përket rritjes ekonomike. Ky vend mbahej deri më tani nga Japonia. Por mes tyre ka mbetur e pazgjidhur çështja e një baze amerikane në Japoni, në ishullin jugor të Okinavës, që ka krijuar probleme deri më tani mes Uashingtonit dhe Tokios. Por sipas asaj që deklaroi Kryeministri japonez, marrëdhënia e vendit të tij me Shtetet e Bashkuara është në themel të politikës së jashtme të vendit. Por sipas tij, ai do të donte që kjo aleancë të zhvillohej në një dritë të re, në atë të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike botërore që kanë në themel konstruktivitetin dhe ardhmërinë. Ndërsa për Obamën që është në turneun e tij të parë aziatik si President, aleanca duhet që të përqendrohej në rivitalizimin e miqësisë në mënyrë që të përballeshin me sukses të gjitha sfidat e shekullit 21. Tokio është hapi i parë i vizitës 9-ditore të Obamës në Azi që do ta çojë numrin një të Shtëpisë së Bardhë edhe në Singapor për të marrë pjesë në takimin e Azi-Paqësorit, apo në Pekin ku do të diskutojë ndër të tjera në lidhje me ndryshimet klimatike dhe çështjet e deficitit tregtar, apo edhe në Korenë e Jugut. Për sa i përket Japonisë, Shtetet e Bashkuara do të përkujtojnë me këtë vend 50-vjetorin e marrëveshjes së sigurisë mes tyre. Të dyja vendet duket se do të lënë mënjanë mosmarrëveshjet për të thelluar pikat e përbashkëta në marrëdhëniet mes tyre. Takimi mes të dy liderëve është bërë ndërsa në rajon po ndodh një zhvendosje e madhe ekonomike. Kina ka zënë vendin e Japonisë si vendi i dytë në botë me ekonominë më të madhe dhe ky ndryshim sigurisht që nuk mund ta lërë indiferent një vend si Japonia. Madje, në këtë vend kanë filluar të përvijohen shqetësimet e një aleance preferenciale mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës në vend të asaj të deritanishme me Japoninë. Në fakt, këto shqetësime bazohen edhe në qëndrimin e gjatë të Obamës në Kinë, rreth 3 ditë, ndërkohë që në Japoni do të qëndrojë vetëm për 24 orë. Megjithatë, Kryeministri japonez zyrtarisht ka deklaruar se nuk është i shqetësuar nga rritja ekonomike e Kinës. Sipas tij, kjo është normale po të kihet parasysh numri i popullsisë. "Në vend që të bëhemi xhelozë për një vend me një popullsi mbi 1 miliard, ne duhet të përqendrohemi të bëjmë maksimumin për një ekonomi në përmasat tona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›