E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjekje penale kreut të Sindikatës së Minatorëve

Dërgohet për ndjekje penale drejtuesi i Sindikatës së Minatorëve në Shqipëri, pasi akuzohet se ka tentuar të hyjë me forcë në godinën e Kryeministrisë. Fiqiri Xibri, 52 vjeç, është proceduar penalisht edhe si drejtues i manifestimeve të paligjshme që ka zhvilluar gjatë ditës së mërkurë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1 filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Fiqiri Isuf Xibri, 52 vjeç, banues në Tiranë, me arsim të lartë, drejtues i Sindikatës të Minatorëve të Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare, ai dyshohet se në orën 12.00 të së mërkurës, te Kryeministria, ka organizuar manifestime të paligjshme dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë së rendit, duke tentuar të hyjë me forcë në godinën e Kryeministrisë. Minatorët ishin mbledhur para dyerve të selisë së Kryeministrisë, ku kanë tentuar të hyjnë me forcë për t‘u takuar me kreun e ekzekutivit. Tentativa e tyre është ndaluar nga forcat e rendit, të cilat u bënë gardh para dyerve të Kryeministrisë. Kanë qenë afro 150 minatorë ardhur nga të gjitha rrethet që protestuan për statusin, uljen e moshës së pensionit, përmirësimin e kushteve të punës. Pas insistimit të tyre për t‘u takuar me Kryeministrin Berisha, ata janë pritur në takim nga ministri i Shtetit, Genc Pollo, me të cilin kanë rënë dakord që prej ditës së nesërme të ngrihet grupi teknik i punës për të gjetur zgjidhje rreth ankesave të minatorëve.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›