E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, vendimi: Studentët me pesa do të përjashtohen

 

VLORE - Senati i universitetit të Vlorës ka vendosur një rregullore të re, një ndër nenet e të cilit detyron studentët të kenë mesatare mbi 6, në të kundërt, ata përjashtohen. Një vendim i tillë konsiderohet absurd nga ana e studentëve, të cilët dje bojkotuan mësimin. Sipas tyre, nuk mund të vihet kusht nota 6 për mospërjashtim nga universiteti, ndërkohë që nota kaluese është pesa. Për këtë shkak, si dhe disa pika të tjera të rregullores, rreth 300 studentë protestuan dje, në ambientet e universitetit. "Shkak për bojkotin e mësimit dhe protestën është bërë rregullorja e re e këtij universiteti. Kjo rregullore shkel të drejtat tona. Na vendos ne në pozita jo të favorshme në këtë universitet", u shprehën thuajse njëzëri studentët e mbledhur dje para universitetit "Ismail Qemali". Ata kërkuan dje të njihet Këshilli Studentor. Gjithashtu, studentët kërkojnë që mësimi të zhvillohet në dy turne, paradite dhe pasdite, ku çdo degë të zhvillojë mësimin në një godinë të vetme dhe në një turn të vetëm. Një tjetër kërkesë e tyre është që mësimi për sistemin e ditës, të zhvillohet vetëm nga dita e hënë në ditën e premte. Të ndalohet kategorikisht spostimi i orëve të pazhvilluara nga pedagogët ditën e shtunë dhe të diel. Por reagimi i më të shumtëve të studentëve ishte për shfuqizimin e nenit të rregullores, që përjashton studentët me mesatare nën 6. Në lidhje me këtë situatë, zv.rektori i universitetit "Ismail Qemali", Engjëll Liçaj tha, se është folur me studentët, me qëllim që ata të sqarohen rreth paqartësive që kanë. Sipas tij, kjo nismë është e qëllimshme. Liçaj u shpreh se vetëm disa prej tyre janë futur në protestë, ndërsa disa të tjerë janë detyruar për të kryer një veprim të tillë, me qëllim për të bojkotuar leksionet. Ai sqaroi se nëse një student ka marrë të gjitha notat 5 gjatë vitit dhe merr edhe provimet, nuk përjashtohet. Nëse notat i ka të gjitha 5-sa dhe ngelet në një provim, atëherë ai përjashtohet nga shkolla. Kjo sipas tij, bëhet për efekt të ngritjes së cilësisë së studentëve në mësime.         q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›