“Ëndrra ime për futbollin shqiptar”
Ka qenë një ndër futbollistët më të njohur shqiptarë që ka luajtur në skuadra të ndryshme evropiane. Në Italia ka luajtur për ngjyrat e Breshias, Bolonjës e Lacios. Në një intervistë të dhënë për gazetën periodike “Bota Shqiptare” (botohet për shqiptarët e Italisë), ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, aktualisht drejtor sportiv i Lacios, flet për karrierën e tij dhe bën një rezyme rreth futbollit në Shqipëri.
Çfarë do të thotë të jesh një futbollist shqiptar në kontekstin e futbollit evropian?
Varet nga aspekti që kërkon të marrësh në konsideratë. Nëse do të isha një futbollist shqiptar në Shqipëri, raportet me futbollin evropian do të ishin inekzistente, për faktin e thjeshtë se futbolli shqiptar ndodhet në një gjendje, që nuk të lejon të afirmohesh përtej kufijve të vendit. Ndërsa, për sa i përket eksperiencës sime si futbollist shqiptar në skuadrat evropiane, për mua ka qenë arritja e një objektivi të pamundur. Diçka thjesht madhështore.
Si keni hyrë në botën e futbollit?
Ashtu si të gjithë fëmijët shqiptarë, jam rritur në një vend që është nga të paktët në Evropë, ku akoma edhe sot e kësaj dite luhet futboll nëpër rrugë. Kjo është diçka pozitive për të të ndezur pasionin për futbollin. Brezi im është rritur në këtë mënyrë. Nga ndeshjet e futbollit me shokët e lagjes, rreth moshës 15-vjeçare kalova te skuadra e të rinjve të Partizanit. Më pas nisa të luaja me skuadra të kategorisë së parë. Nga fundi i viteve ‘90, ashtu si shumë shqiptarë të brezit tim, u largova nga vendi im dhe nisa karrierën në futbollin evropian.
Cilat janë eksperiencat më të rëndësishme jashtë Shqipërisë?
Në fillim shkova në Greqi, ku arrita të luaj me disa skuadra greke. Mirëpo, nuk mund të luaja në kampionat, sepse nuk kisha dokumente. Nuk m’i jepnin sepse nuk isha nga “Vorio Epiri”, pra nuk i përkisja minoritetit grek në Shqipëri. U përballa me një situatë të tillë, ku duhet të zgjidha mes kthimit në vendin tim ose të refuzoja kombësinë shqiptare dhe të pranoja atë greke. Gjë që të them të drejtën, më dukej absurde dhe nuk doja ta pranoja. Duke mos pasur zgjidhje tjetër u ktheva në Shqipëri dhe më pas gjeta mënyrën për t’u nisur drejt Gjermanisë, ku në fillim u aktivizova në kategorinë e tretë. Kanë qenë vite të vështira dhe të trishtueshme, mbi të gjitha sepse është e vetmja periudhë e jetës sime gjatë të cilës hoqa dorë nga Kombëtarja shqiptare. Më pas kalova te Karlsruhe dhe te disa skuadra të tjera të ligës elitare në Gjermani, Bundesliga.
Dhe keni qenë ndër futbollistët e parë shqiptarë që kanë milituar në futbollin evropian...
Po, unë bëj pjesë në atë gjeneratë që i hapi rrugën gjithë të tjerëve më pas, sidomos në Gjermani. Të tjerë që kanë luajtur jashtë qenë Lala, Skela, Rraklli, Strakosha apo Cana, sa për të cituar disa prej tyre. Na është dashur të përballemi me vështirësi të papërshkrueshme. Për mua ka qenë shumë e vështirë sepse vija nga një futboll i nivelit të dobët dhe pa asnjë prestigj. Kështu që më është dashur ta nis gjithçka nga e para, duke e vënë seriozisht karrierën në diskutim. Mendoj se, të paktën psikologjikisht, një futbollist i ri shqiptar sot ka avantazhe më të mëdha. Ka ndryshuar imazhi që kanë nga kjo anë e botës për futbollin shqiptar dhe mbi të gjitha është përmirësuar imazhi i shqiptarëve.
Futbolli a ka ndonjë meritë sipas jush në këtë përmirësim?
Ndoshta futbolli ka qenë e vetmja fushë që ka kontribuuar në një përfaqësim sa më pozitiv të Shqipërisë dhe ka përmirësuar imazhin e saj në Evropë. Sigurisht, si rrjedhojë edhe imazhin e shqiptarëve. Është diçka që e kuptoj menjëherë kur më qëllon të jem para tifozëve në Gjermani dhe mbi të gjitha në Itali. Është e qartë se ne futbollistët jemi shndërruar në një lloj ambasadori prestigji dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit tyre na konsiderojnë si të tillë. Unë kam qenë nga të parët që kam firmosur peticione kur shqiptarët kanë rënë viktima të sulmeve mediatike që kanë prodhuar një farë vale antishqiptare në të gjithë Italinë. Personazhet publike me origjinë shqiptare kanë një detyrim natyral për të kontribuuar në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë. Personalisht e ndjej një obligim moral. Në një farë mënyre ne jemi pikë referimi për njerëzit e zakonshëm dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë pozicion.
Çfarë lloj reputacioni gëzon aktualisht futbolli shqiptar sipas jush?
Tifozët evropianë kanë një opinion gjithnjë e më të mirë për futbollin shqiptar, duke pasur parasysh të gjithë futbollistët shqiptarë që aktivizohen në skuadrat evropiane. Mirëpo, futbolli në Shqipëri nuk ka aspak lidhje me lojtarët që luajnë në Evropë. Ka një disnivel të paimagjinueshëm. Është një fatkeqësi për ata që duan të zhvillojnë futbollin në Shqipëri. Kanë probleme të mëdha me organizimin, administrimin, financimet si dhe aspekte të tjera.
Përse mendoni se ka ardhur gjendja deri në një situatë të tillë?
Ka të bëjë me shumë aspekte. Ka mangësi të mëdha me stadiumet, me idetë, profesionalizmin... Ambiciet mund të jenë më të mëdha, sepse futbolli është sporti më i ndjekur në Shqipëri, por as Ministria e Sporteve e as Federata Shqiptare e Futbollit nuk kanë strategji.
Fakti që në vitet e fundit është synuar afrimi i trajnerëve të huaj, a ka pasur një efekt pozitiv në përmirësimin e futbollit shqiptar?
E kam mbështetur gjithmonë idenë e ardhjes së trajnerëve të huaj në Shqipëri, sepse kam menduar se është zgjidhja më e mirë për t’i sjellë futbollit shqiptar eksperienca të reja dhe metoda pune që mungojnë aty. Për momentin trajnerët e huaj ofrojnë eksperienca që shqiptarët nuk i kanë, por mendoj se në të ardhmen do të formohen breza të rinj shqiptarësh që do të jenë po aq të përgatitur. Domethënë, që deri tani ka munguar sipas meje edhe puna psikologjike. Nëse ne humbnim ndonjë ndeshje me rezultatin 2-1 ose 2-0, trajnerët tanë gëzoheshin sikur të kishim fituar dhe thoshin: “E rëndësishme është që na mundën me 2 gola diferencë dhe jo me 4”. Mirëpo, ky lloj mentaliteti ka pasoja të rënda për futbollistët.
Ju do të donit të ktheheshit në Shqipëri për t’u bërë trajner, për shembull i Kombëtares shqiptare?
Ëndrra ime është t’i ofroj futbollit shqiptar atë që kam përfituar në karrierën time. Mbase di trajner i një skuadre ose me ndonjë shkollë... Nuk e di se kur mund të ndodhë kjo, por është gjithmonë në projektet e mija.
Azerbajxhani, mundësia e vetme për miqësore
Kombëtarja shqiptare, ashtu si dhe herët e tjera, të vetmen mundësi për një ndeshje miqësore më 19 nëntor e ka me Azerbajxhani. Lajmi dje në mbrëmje është konfirmuar nga zëdhënësi për shtyp i Federatës së Futbollit të Azerbajxhanit, që ka deklaruar në sitin e interneti se në parim është rënë dakord me drejtuesit e institucionit më të lartë të topkëmbës shqiptare. Madje e njëjta gjë është konfirmuar dhe nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Arben Bici, sipas të cilit tashmë pritet shkëmbimi i kërkesave zyrtare. Ajo që duhet bërë e ditur është se Azerbajxhani e ka kërkuar vetë këtë miqësore me Shqipërinë, kur Letonia kishte refuzuar ndeshjen më 19 nëntor për shkak të problemeve të transportit të kombëtares së vet drejt Bakusë. Në të njëjtën kohë, kur kombëtares sonë i ka rënë poshtë mundësitë për ndeshje miqësore me Turqinë, Sllovakinë, Slloveninë, por, së fundi, dhe me Paraguain, atëherë i leverdis kjo miqësore me Azerbajxhanin, me të cilën është luajtur tre herë; më 2000 në turneun “Rothmans” të Maltës, 1-0; më 2002, në Tiranë, 1-0; më 2006-ën, po në Tiranë, 2-1. Tashmë është radha jonë që t’i kthejmë vizitën Azerbajxhanit, e cila stërvitet nga Berti Fogst, që më 1997 ishte trajner i Gjermanisë, në atë fitore të ngushtë 4-3 ndaj kombëtares sonë.