E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inaugurohet fabrika e çimentos

 

Kryeministri Berisha ka inauguruar dje nisjen e punimeve për ndërtimin e fabrikës së re të çimentos në Lezhë "Fassa-Berberi". Kjo kompani do të investojë në këtë fabrikë rreth 250 milionë euro dhe punimet pritet të përfundojnë pas dy vitesh. Duke folur në ceremoninë e djeshme në Balldren të Lezhës, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo fabrikë, së bashku me fabrika të tjera të prodhimit të çimentos në vend, do të plotësojnë nevojat në rritje për çimento në tregun vendas, si dhe për eksport. "Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha për krijimin e një klime miqësore për biznesin. Ajo ka vendosur barrën fiskale më të ulët në Evropë, ka eliminuar dhe do të eliminojë një seri pengesash burokratike. Por dua të jem i sinqertë me ju. Ajo ka gjetur edhe një psikologji të trashëguar jo kaq mirëkuptuese ndaj investimeve dhe investitorëve. Ne duhet t'i themi problemet hapur, në mënyrë që t'i ndryshojmë ato. 3 vjet më parë, kur u ndesha me këtë psikologji, kjo ishte ajo çka më trishtoi më shumë, por mbeta i vendosur të bëj çdo përpjekje për ndryshimin e saj", u shpreh kreu i qeverisë. Duke folur për investimet në industrinë e çimentos, kreu i qeverisë tha se në Fushë-Krujë e Lezhë deri tani janë investuar mbi 500 milionë euro, si dhe 800 milionë të tjera janë në parapërgatitje. "Ne kemi kodra gëlqerore nga Fushë-Kruja deri në Urën e Mesit, që janë pasuri e jashtëzakonshme për industrinë e materialeve të ndërtimit. Ne do t'i shfrytëzojmë ato me kriteret më të mira. Ne jemi një vend me depozita minerare gjigante dhe unë kam kërkuar që Shqipëria të anëtarësohet në grupin e 20 vendeve, nismë e Tony Blear, që bën shfrytëzimin më racional dhe transparent të pasurive minerare dhe miqësor ndaj komunitetit dhe mjedisit", vijoi më tej Berisha. Projekti për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Balldren, është shumë larg asaj që mund të jetë paraqitur deri tani. Detajet, ose më saktë investimet në këtë zonë të vendit, nga grupi Fassa&Berberi, shqiptaro-italian, do ta kthejnë këtë zonë në një ndër më të privilegjuarat. Sipas projektit, ndërtimi i fabrikës është vetëm një ndër komponentët. Pas saj qëndrojnë ndërtimi i terminaleve të reja në portin e Shëngjinit dhe një tunel nëntokësor, që do të lidhë fabrikën me anijet. Një risi kjo për industrinë shqiptare. Fabrika, e cila parashikon të mbarojë pas 2 vitesh, parashikon të punësojë rreth 250 persona. Garancia për kapacitetin e saj dhe cilësinë e produkteve e jep vetë emri i kompanisë italiane "Fassa". Ndërsa përsa i përket mbrojtjes së ambientit, shifrat e dhëna hedhin poshtë të gjithë zërat për ndotje. Mjafton të krahasosh se tubat e fabrikës do të ndotin ambientin për një orë, aq sa e ndotin ambientin 10 makina gjatë qëndrimit në semafor për një minutë. Kjo matje e paraqitur nga investitorët i bën të paafta logjikisht të gjitha pretendimet e tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›