Prokuroria e Përgjithshme me dy superdosje mbi tavolinë
Si kurrë më parë, Prokuroria e Përgjithshme ka mbi tavolinat e saj dy dosje, të cilat kanë dëmtuar jetën e qytetarëve dhe kanë varfëruar xhepat e tyre. Dosja “Gërdeci” dhe ajo e rrugës “Rrëshen-Kalimash” janë pikërisht dy dosjet që i kanë rrëmbyer dhe imunitetin dy ministrave që kanë rezultuar të implikuar në shkelje. Ndërsa dosja “Gërdeci” është ende në një fazë të zhvillimit të hetimeve të saj, ajo e rrugës “Rrëshen-Kalimash” duket se i ka situr të gjitha hetimet dhe pritet vetëm që Ministria e Transporteve të bëjë publik projektin. Fati i kësaj dosjeje u “vulos” nga rezultatet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili konfirmoi pretendimet e Prokurorisë. Shkelje të konkurrencës në tender, çmime të diktuara nga firma "Bechtel" dhe evazion fiskal në dëm të buxhetit të shtetit. Kjo është përgjigjja që erdhi pak kohë më parë edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për rrugën “Rrëshen-Kalimash”. Konkluzionet e ekspertëve të KLSH-së për aksin e shumëpërfolur “Rrëshen-Kalimash” janë përfshirë brenda një raporti voluminoz mbi kontrollin e të gjithë tenderave të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, raport ky që pritet të bëhet publik paraditen e sotme. Ndërkohë, kopje të këtij raporti kanë mbërritur edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, në Prokurorinë e Tiranës dhe në zyrën e prokurores së Përgjithshme. Thuajse në të njëjtën linjë me hetimin e Prokurorisë shfaqen në raportin e KLSH-së procedurat për përzgjedhjen e firmës fituese të tenderit, “Bechtel-Enka”. Sakaq, në lidhje me dosjen “Gërdeci” sot ka tre të arrestuar dhe një ish-ministër në ndjekje penale. Kjo dosje duket se ka edhe më shumë komplikime në kushtet kur skandali i ka kaluar “doganat” e Shqipërisë. Megjithatë, jo më larg se dy ditë më parë prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, u shpreh se Prokuroria ka hapur dosje hetimore edhe për trafikimin e armëve. Zhvillimet në Shtetet e Bashkuara, pas arrestimit të pronarit të kompanisë “AEY”, Efraim Diveroli, kanë vënë në lëvizje edhe organin shqiptar të akuzës. Numri një i këtij institucioni, Ina Rama, ka konfirmuar se homologëve të saj amerikanë u është kërkuar marrja në pyetje e Diverolit për llogari të hetimeve shqiptare. Dëshmia e tij, sipas Ina Ramës, do t’u bashkohet fashikujve hetimorë në funksion të pistës së hetimit të trafikut të armëve në Shqipëri. Qëndrimin në fjalë ajo e bëri publik në mbledhjen e Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku ishte ftuar për të paraqitur raportin për vitin 2007 mbi punën e institucionit që drejton. “U jemi drejtuar organeve homologe të Drejtësisë amerikane për të marrë jo vetëm dëshminë e Diverolit, por edhe për një sërë provash që ne i çmojmë të nevojshme në hetimin tonë për çështjen e Gërdecit dhe që mendojmë se mund të na serviren nga Drejtësia amerikane. Në bazë të deklarimeve të tij ne do të shohim se çfarë do të jenë me rëndësi në shërbim të hetimit tonë”, - tha Kryeprokurorja e Republikës në përgjigje të interesimit të medias.
26 Qershor 2008