Lorik Cana: “Berisha u mërzit, nuk pati gjë me tifozët”
Lorik Cana është mësuar të kujdeset për çdo detaj. Zëvendëskapiteni i Shqipërisë është i shqetësuar përket rrjedhës që po merr e ashtuquajtura “çështje Berisha”, pas barazimit të madh të Shqipërisë me Portugalinë (0-0) në Bragë. Kapiteni i Marsejës në një prononcim për “Albania”-n sqaroi edhe momentin që, sipas tij, ka futur padashur sulmuesin e Rozenborgut, Besart Berishën me tifozët. “Dua të saktësoj se nuk ekziston një problem i Besartit me tifozët. Unë nuk i kam tërhequr vëmendjen atij për ta detyruar të përshëndesë tifozët pas përfundimit të ndeshjes, por saktësisht i kam thënë: ‘Ah, sikur të kishe pasur te Skela në rastin për gol, do të kishim dalë me fitore nga kjo fushë’. Besarti më largoi dorën, por kjo nuk kishte të bënte fare me tifozët”, - sqaron mesfushori polivalent, që i bën dhe një lutje medias për një bashkëpunim më frytdhënës. “Pas kësaj arritje me Portugalinë e kalimit të momentit të vështirë me Hungarinë, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se Kombëtarja ka nevojë për median. Na nevojitet morali i lartë për të arritur rezultate të mira. Të mos harrojmë polemikat që krijoi më parë shtypi në lidhje me raportet e disa lojtarëve të Kombëtares me ish-trajnerin Oto Bariç”. Loriku flet edhe për gjendjen emocionale të Berishës. “Besarti vjen nga një dëmtim i rëndë dhe natyrshëm që mund të reflektojë edhe një shenjë mërzie, por kurrë ndaj tifozëve apo stafit teknik. Këto gjëra ndodhin në futboll dhe nuk mund të kthehen në polemika. Nuk ka asnjë çështje në Kombëtare, po kalojmë një moment të mirë pas atij barazimi me Portugalinë dhe mendoj se të gjithë duhet të na qëndrojnë pranë”.
Loriku flet edhe për dy ndeshjet e ardhshme, ato kundër Maltës në transfertë e Hungarisë në Tiranë: “Jemi me moral të lartë dhe shpresojmë në rezultate të mira e për të zënë një vend të mirë në grup”.
E shtunë fatkeqe për shqiptarët e Bundesligës
Energi Kotbus i Ervin Skelës pësoi një humbje minimale në transfertë me Këlnin e trajnerit Kristof Daum, një takim ku Energi luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 29-të, kur Igor Mitreski u ndëshkua me karton të kuq. Golin e vetëm të takimit e shënoi Milivoje Novakoviç (39’), në një takim të ndjekur nga 49 mijë shikues. Fantazisti i Kombëtares shqiptare luajti nga fillimi i takimit, por u zëvendësua me fillimin e pjesës së dytë nga Ziebig.
KAPLLANI- Karlsruhe e Edmond Kapllanit humbi minimalisht 1-0 me Bajernin në shtëpi në një stadium të shitur plotësisht (30 500 shikues). Sulmuesi i Kombëtares shqiptare zëvendësoi në minutën e 72-të australianin Kenedi, përpara se Miroslav Kloze të shënonte golin për Bajernin në minutën e 87-të.
LALA - Hanoveri i Altin Lalës pësoi një humbje të turpshme në shtëpi në një stadiumi të shitur plotësisht (42 321) shikues kundër Hofenheimit (2-5), por kapiteni i Shqipërisë nuk u aktivizua për asnjë minutë në takimin e javës së 8-të.
MAVRAJ - Bokumi i Mërgim Mavrajt barazoi 2-2 në shtëpi me Borusian e Mënshengladbahut. Mbrojtësi kosovar, nuk dihet ende arsyeja pse refuzoi fanellën kuqezi, luajti për 90 minuta, duke u ndëshkuar edhe me një karton të verdhë.
Kinë, Hamilton në “pole position”
Piloti i Meklaren Mercedes, Luis Hamilton ka fituar “pole position” në Çmimin e Madh të Kinës. Britaniku arriti rezultatin 1.36.303. dy pilotët e Ferrarit, Kimi Raikonen dhe Felipe Massa do të nisen përkatësisht nga vendi i dytë dhe i tretë, ndërsa kohën e katërt më të mirë e regjistroi piloti i Renault, spanjoll Fernando Alonso. Vetëm vendi i pestë për pilotin tjetër të Meklaren, Heiki Kovalainen. Me këtë rezultat, Hamilton do të niset i pari në garën e parafundit për këtë sezon. Sipas llogarive, në garën e Çmimit të Madh të së dielës që do të startojë në orën 8:00 të mëngjesit, shansin për të fituar e kanë tre konkurrentë. I pari është Hamilton që kryeson me 84 pikë. Ai pasohet nga Felipe Massa me 79 dhe më pas vjen Robert Kubica me 67 pikë. Hamilton duhet të fitojë vetëm gjashtë pikë më shumë se piloti i Ferrarit Felipe Massa për tu shpallur kampion i Formula 1. Nisja mendohet e vështirë për Hamilton sepse pas tij janë dy pilotët e ferrarit, dhe padyshim Raikonen do ndihmojë shokun e tij të skuadrës Felipe Massa për të zënë vendin e parë që në start. Tashmë mbetet edhe gara e Brazilit për tu zhvilluar dhe gjithçka është më e hapur se kurrë, për fitimin e këtij kampionati.
Pedroza niset i pari në Malajzi
Spanjolli Dani Pedroza ka fituar “pole positionin” në çmimin e madhe të Malajzisë në Moto GP. Piloti i hondës e ka ndalur kronometrin në kohën 2min1sec548/100. Ky është poli i dytë për Pedrosën në këtë sezon dhe i pari me gomat e reja Brixhston. Në vendin e dytë është renditur itaniani që tashmë është shpallur kampion Valentino Rossi me Yamaha, ndërsa i treti Horge Lorenzo. I katërti Niki Hajden me Honda dhe i pesti Kolin Eduards. Ish kampioni i botës Kejsi Stoner nuk ka bërë një paraqitje të mirë në Sepang, dhe është renditur vetëm i shtati. Fitorja e Pedrozës mendohet se nuk do jetë shumë e thjeshtë sepse, pas shpine ka Valentino Rosin, që gjithmonë është i etur për fitore, dhe Horge Lorencon, i cili ka një dëshirë të madhe të kthehet në pod.
19 Tetor 2008