Tirana – Dinamo ose Slishko vs. Dalic
Janë të dy kroatë dhe premtojnë spektakël, por në llogaritë e tyre nuk e fshehin pragmatizmin për pikët. Një derbi, fitorja e të cilit është e shoqëruar me premio marramendëse. Të dy kanë fituar nga një trofe në aventurën e tyre të parë në Shqipëri. Trajneri i Dinamos, Zlatko Daliç, fitoi Superkupën e Shqipërisë kundër Vllaznisë (2-0), një javë përpara se të fillonte Kampionati i 70-të Kombëtar i Futbollit, ndërsa ai i Tiranës, Bllazh Slishkoviç, pronësoi trofeun “Taçi Oil Albania Reads”, duke mposhtur në një miqësore luksi një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, Milanin (2-1).
VIZIONE TË NDRYSHME -Për të përgatitur derbin Tirana-Dinamo, midis dy ekipeve me më shumë trofe në kampionatin shqiptar (Tirana, 23 tituj; Dinamo, 17) dy trajnerët kanë pasur në dispozicion jo pak, por 15 ditë, kjo edhe për shkak të angazhimit të ekipit kombëtar në eliminatoret e Botërorit “Afrika e Jugut 2010”. Boshnjako-kroati Bllazh Slishkoviç, i cili më parë ka drejtuar kombëtaren boshnjake pranon se ka vizione të ndryshme për lojën me trajnerin e Kroacisë U-21, Daliç, i ulur edhe në bankinën e Dinamos. “Nuk mund të them se jemi të së njëjtës shkollë. Daliç është i shkollës së pastër kroate, ndërsa unë jam kroat i futbollit boshnjak. Mendoj se kemi vizione të ndryshme të lojës e kjo do ta bëjë më spektakolar derbin”, - thotë Slishko. “Është derbi dhe shanset për të dy ekipet janë 50 me 50 për qind, por ne do të luajmë për fitore”, - kundërpërgjigjet Zlatko.
“TOPAT E ART˔ –Ndërsa të mërkurën në mbrëmje anësorit të Tiranës, Ansi Agollit, iu desh të merrej në ndeshjen e Shqipërisë kundër Portugalisë me Kristiano Ronaldon, një nga kandidatët potencialë për fitimin e “Topit të artë 2008”, qendërmbrojtësit bardheblu Tefik Osmani u angazhua për të bllokuar dy lojtarë të tjerë të mëdhenj e fitues të “Topit të artë 2005”, brazilianin Ronaldinjo e ukrainasin Shevçenko. “Duhet të luajmë kundër Dinamos ashtu si bëmë kundër Milanit”, - thotë mbrojtësi korçar Tefik Osmani i cili ka dhe një të kaluar ndërkombëtare në Ukrainë. Osmani, u transferua nga Partizani te Tirana në shumën e 40 mijë eurove, por në statistikat e tij të fundit me Partizanin “rëndon” goli i shënuar pikërisht kundër Dinamos, një gol që vendosi përkohësisht ekuilibrat në fushë (1-1), përpara se dinamasi Nertil Ferraj të realizonte në minutën e fundit golin, që i dha Dinamos titullin e 17-të.
SFIDË ISH-ËSH – Në “Qemal Stafa” (ora 18:00, gjykon ndërkombëtari Sokol Jareci), nuk do të zbresin në fushë dy klube që kanë fituar së bashku 40 tituj kampionë nga 69 kampionate të përfunduara, por dhe lojtarë që kanë fituar tituj me të dy formacionet. Sulmuesi i Tiranës, Daniel Xhafaj synon trofeun e parë me Tiranën, ndërkohë që e ka fituar atë më parë me Dinamon në sezonin 2001-2002. Vlonjati Xhafaj shënoi golin e parë kundër Milanit, e padyshim që pret një tjetër asist nga Migen Memelli për të shënuar pa mëshirë ndaj ish-skuadrës së tij. Kapiteni i Dinamos, elbasanasi Arjan Pisha ka fituar tituj kampionë me të dy fanellat: Tiranën në sezonin 2006-2007 e së fundi me Dinamon (2007-2008). Të njëjtat statistika i ka dhe mesfushori dinamovit Igli Allmuça, por dhe mbrojtësi nigerian i bardhebluve, Abraham Alecheny. Lista me dy fanella vazhdon me Ervis Sinën (aktualisht te Dinamo), Hetlem Çapja (Dinamo) e Erald Deliallisin (Tirana).
SITUATA – Tirana kryeson kampionatin me 14 pikë pas gjashtë javësh, ndërkohë që kundërshtari i saj i javës së 7-të ka katër pikë më pak. Tirana vjen pas barazimit pa gola në Ballsh, ndërsa Dinamo pas barazimit me Vllazninë (1-1).
Dy formacionet janë të vetmet që nuk kanë pësuar humbje deri tani, por nësë Tirana në shtëpi në dy ballafaqimet me Partizanin e Flamurtarin ka fituar, Dinamo në shtëpi nuk është shumë mirë: një fitore e tre barazime. Në transfertë Tirana në katër takime ka fituar dy e ka barazuar dy të tilla, ndërsa Dinamo ka fituar një e ka barazuar po një. Tirana ka shënuar 8 gola (5 nga këto Memelli), ndërsa Dinamo 6 gola (3 gola Plaku). Mbrojtja: Tirana ka pësuar 2 gola, Dinamo, 3.
MUNGESAT – Asnjë skuadër nuk ka lojtarë të pezulluar, por infermieritë e dy kampeve po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për të rikuperuar lojtarët. Mbrojtësit Rezart Dabulla e Entonio Pashaj nuk do të jenë në fushë për Tiranën, ndërsa te Dinamo po punojnë intensivisht për të rikuperuar mesfushorin e avancuar Artion Poçi.
Superliga
Java VII
E diel, ora 14:30
Elbasani-Teuta
Stadiumi: “Ruzhdi Bizhuta”
Gjyqtar: Artan Taullau
Lushnja-Besa
Stadiumi: “Roza Haxhiu”
Gjyqtar: Ermir Dobi
Vllaznia-Shkumbini
Stadiumi: “Loro Boriçi”
Gjyqtar: Albano Janku
Tirana-Dinamo 18:00
Stadiumi: “Qemal Stafa”
Gjyqtar: Sokol Jareci
Partizani-Bylis
Stadiumi: “Selman Stërmasi”
Gjyqtar: Shkëlqim Guçe
Apolonia-Flamurtari
Stadiumi: “Loni Papuçiu”
Gjyqtar: Kridens Meta
KATEGORIA SUPERIORE, RENDITJA PAS JAVES VI
N F B H GSH GP DIF PIK
1 Tirana 6 4 2 0 8 2 +6 14
2 Vllaznia 6 3 2 1 7 4 +3 11
3 Dinamo 6 2 4 0 6 3 +3 11
4 Shkumbini 6 3 1 2 9 7 +2 10
5 Elbasani 6 2 3 1 3 2 +1 9
6 Flamurtari 6 3 0 3 5 6 -1 9
7 Besa 6 2 2 2 5 5 0 8
8 Apolonia 6 2 1 3 5 7 -2 7
9 Teuta 6 1 3 2 3 4 -1 6
10 Lushnja 6 2 0 4 5 8 -3 6
11 Partizani 6 1 1 4 3 6 -3 4
12 Bylis 6 1 1 4 4 9 -5 4
Golashënuesit
5 gola: Memelli (Tirana)
4 gola: Dhëmbi (Vllaznia)
3 gola: Sinani (Vllaznia), Plaku (Dinamo), Kuli (Besa, 2p)
2 gola: Brajkoviç (Flamurtari), Rizvanolli (Shkumbini), Karapici (Partizani), Merxha (Elbasani), A. Lila (Tirana), Asllani (Apolonia)
1 gol: Nora, Shenaj, Ramazani, Mustafaj, Turdiu (1p), Gjata (Shkumbini), Nenaj, Kapaj, K. Dalipi, Bakiu, (Bylis), Çaushaj, Shehaj, Marin Con (Flamurtari), Jusufi, Petriçeviç (Dinamo), D. Xhafaj (Tirana), Progni, Sakaj (Besa), Dhrami, Bërkiç, Shoshi (Apolonia 1p), Bruno (Partizani), Çela, Bubeqi, Sisoko, Sekseri, Bokatola (Lushnja) Stojku (Elbasani), Hysa, Jakupi (Teuta)
Autogola: Stojku (Elbasani), E.Xhafa (Besa), Smajli (Vllaznia)
Partizani, koha për fitoren e parë në shtëpi
Pas dy javëve pa futboll vendas për shkak të impenjimeve të përfaqësueses në eliminatoret e Botërorit kundër Hungarisë (0-2) e Portugalisë (0-0), Kategoria Superiore rikthehet në fokus me javën e 7-të saj.
Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, beson se skuadra e tij e ka forcën e duhur për të arritur fitoren e parë në shtëpi, kundër një Bylisi me të cilin mbyll dhe tabelën e renditjes me pikë të barabarta, nga 4, por me golaverazh më të mirë. Partizani-Bylis (ora 14:30) do të gjykohet nga lushnjari Shkëlqim Guçe.
RIKTHIMI – Të kuqtë do të vuajnë mungesën e dy mbrojtësve, Fatjon Tafaj e Luan Pinarit (të ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e humbur me Flamurtarin), por trajneri Lika, i gëzohet faktit të rikthimit të Elis Bakajt pas pezullimit tre javor nga presidenti Xhani e dhjetë ditëve përgatitje me ekipin kombëtar.
MUNGESAT – Edhe Bylisi do të mbërrijë në kryeqytet me dy mungesa të rëndësishme: mesfushorin Endri Dalipi e mbrojtësin Alban Muça, por për skuadrën ballshiote rikthehen kundër të kuqve, sulmuesi Bakiu e mesfushori Novi. Klevis Dalipi, një ish-lojtar për disa javë te Partizani (2002-2003), beson se skuadra e tij i ka mundësitë për të marrë rezultat pozitiv nga transferta në Tiranë, pavarësisht se në tri ndeshje të luajtura jashtë shtëpisë Bylisi ka pësuar vetëm humbje.
SULMI - Bakaj do të luajë pas shpinës së dy sulmuesve brazilianë, Bruno (një gol (kundër Tiranës), por që kanë zhgënjyer në ndeshjet e fundit. Partizani, së bashku me Elbasanin e Teutën, ka sulmin më të dobët në kampionat: 3 gola në 6 ndeshje.
MBROJTJA - Bylisi i Hysen Dedjes ka mbrojtjen më të dobët në gjashtë javët e para: 9 gola të pësuar, por që mbërrin në “Selman Stërmasi” pas barazimit befasues pa gola me Tiranën kryesuese.
TRAJNERËT - Hasan Lika e Hysen Dedja janë miq të vjetër me njëri-tjetrin, por shkodrani i bankinës së Bylisit dëshmoi në “Loro Boriçi” kundër Vllaznisë e në “Adush Muça” kundër Tiranës se mbetet një trajner karizmatik, për më tepër që ai është një nga katër trajnerët e këtij sezoni në Superligë që ka fituar të paktën një titull kampion, duke futur në këtë listë nderi edhe Starovën (Teuta), Dajën (Besa) e Josën (Elbasani).
Befasojnë debutueset, Gramozi e Tërbuni
Debutueset e Kategorisë së Parë, Gramozi i Ersekës dhe Tërbuni i Pukës, me barazimet e tyre në transfertë kundër pretenduesve të mëdhenj për t’u ngjitur në Superligë realizuan edhe surprizat në javën e 6-të të Kategorisë së Parë. Gramozi barazoi 3-3 në Lezhë kundër një Besëlidhje, që e përfundoi takimin me dhjetë lojtarë, njëherësh edhe takimi i parë historik midis tyre. Formacioni i Ilir Qirjakos kaloi në avantazh qysh në minutën e parë me anë të Shaqirit, por skuadra e Valentin Gjetjes e përmbysi rezultatin brenda gjashtë minutash. Miqtë nga Erseka barazuan shifrat në 2-2, por sërish vendasit kaluan në avantazh në 3-2, teksa në fund të takimit u vulos edhe rezultati përfundimtar 3-3. Tërbuni i Pukës barazoi 1-1 me Luftëtarin e vendit të dytë, në fushën asnjanëse të qytetit të Tepelenës. Pukjanët kaluan të parët në avantazh e më pas barazuan gjirokstritët, në një ndeshje ku të dy ekipet e mbyllën me nga dhjetë lojtarë. Kryesfida e ditës së shtunë, ajo midis Burrelit e Dajtit në “Liri Ballabani” u mbyll pa gola, por duhet theksuar fakti se gjyqtari Breshani ndëshkoi me karton të kuq Lleshin e Burrelit dhe brazilianin Abilio të Dajtit qysh në minutën e tretë të takimit për shkak të një debati të shndërruar në konflikt mes dy futbollistëve. Dajti morri një pikë të çmuar në Burrel, dhe tashmë ndodhet në sërish në vendin e katërt, me po aq pikë sa Gramozi e Luftëtari (nga 11), por duke i dhënë mundësinë Skënderbeut, që në rast fitoreje kundër Bilisht Sport (ndeshja luhet të dielën) të shkëputet gjashtë pikë.
Skrapari i Ylli Shehut shfry dufin ndaj Kastriotit të malaziasit Dervish Haxhiosmanoviç duke fituar me rezultatin e pastër 3-0, e duke shënuar në një takim aq gola sa kishte realizuar në pesë javët e para. Laçi i Edi Martinit nuk e kurseu Pogradecin, duke fituar thellësisht 3-0 e duke u ngjitur në vendin e pestë të renditjes. Ada e Velipojës fitoi 2-0 me Turbinën e Cërrikut në fushën asnjanëse të Pukës, duke u ngjitur në kuotën e 7 pikëve.
Të dielën do të zhvillohet derbi Bilisht Sport-Skënderbeu, një fushë që korçarët e njohin mirë pasi janë duke i luajtur aty takimet shtëpiake për shkak të rikonstruksionit të stadiumit. Skënderbeu synon fitoren e gjashtë radhazi në gjashtë javët e para me ekipin që renditet në vendin e fundit. Naftëtari-Sopoti mbyllin javën e gjashtë të Kategorisë Superiore.
KATEGORIA E PARE
JAVA 6
Ada-Turbina 2-0
Besëlidhja-Gramozi 3-3
Skrapari-Kastrioti 3-0
Burreli-Dajti 0-0
Laçi-Pogradeci 3-0
Luftëtari-Tërbuni 1-1
Të dielën
Bilisht-Skënderbeu (A.Beqiri)
Naftëtari-Sopoti (A.Kastrati)
Ndeshjet fillojnë në orën 14:30
KATEGORIA E PARE, RENDITJA PAS JAVES VI
N F B H GSH GP DIF PIK
1 Skënderbeu* 5 5 0 0 10 3 +7 15
2 Luftetari 6 3 2 1 10 6 +4 11
3 Gramozi 6 3 2 1 9 6 +3 11
4 Dajti 6 3 2 1 5 2 +3 11
5 Laçi 6 3 1 2 5 6 -1 10
6 Kastrioti 6 3 0 3 8 58 0 9
7 Burreli 6 2 2 2 7 4 +3 8
8 Beselidhja 6 2 2 2 9 10 -1 8
9 Terbuni 6 2 2 2 5 7 -2 8
9 Naftetari8 5 2 1 2 7 7 0 7
10 Turbina 6 2 1 3 6 7 -1 7
11 ADA 6 2 1 3 8 12 -4 7
12 Sopoti* 5 2 0 3 6 6 0 6
13 Pogradeci 6 1 1 4 5 12 -7 4
15 Skrapari 6 0 2 3 3 8 -5 2
16 Bilisht Sport* 5 0 1 4 0 5 -5 1
19 Tetor 2008