E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evertoni e ka seriozisht, 12 mln euro për Lorik Canën

 

Jetmir Halilaj

Klubi i Evertonit është hedhur sërish në sulm për Lorik Canën, madje sipas të përditshmes angleze “The Sun”, drejtuesit e klubit anglez i kanë ofruar Marsejës 9 milionë paund (12 milionë euro), për të marrë shërbimet e kapitenit të kësaj skuadre. Lajmi është përcjellë me shumë bujë në Francë, pasi këtë radhë gjërat duken tepër zyrtare dhe nuk përjashtohet mundësia që ylli i përfaqësueses shqiptare të transferohet që në muajin janar te Evertoni.
Paga
Klubi anglez, përveçse ofron një shumë të majme për kartonin e lojtarit, është i gatshëm t’i dyfishojë Lorik Canës edhe pagën prej 1.3 milionë eurosh që merr aktualisht te Marseja. Lorik Cana është tifoz i skuadrës së Milanit, dhe do të donte që një ditë të konkurronte me Gatuzon për një vend titullari në mesfushë, por ai ka pohuar se futbolli anglez, është ai që i përshtatet më tepër, edhe për shkak të karakteristikave që ka. Media franceze bën të ditur se ka qenë drejtori ekzekutiv i klubit të Evertonit, Robert Erl, ai që i ka bërë ofertën zyrtare prej 9 milionë paundësh Marsejës.
Media
Lorik Cana konsiderohet si një nga shtyllat e Marsejës, madje është simboli i ri i kësaj skuadre, megjithatë, analistët e futbollit francez janë të mendimit se nëse Marseja ka vendosur që të shesë, atëherë ky është momenti më i mirë, pasi zor se pas një sezoni tjetër do të ketë oferta kaq të majme për mesfushorin shqiptar. Media franceze bën të ditur se ky mund të jetë sezoni i fundit që ana luan me fanellën e Marsejës.
Ofertat
Ndërkaq, lojtari ka pranuar se ai nuk ka ndërmend që ta mbyllë karrierën e tij te Marseja, duke lënë të kuptohet se dëshiron një tjetër klub në të ardhmen. Problemi është se Evertoni nuk është në nivelin e klubeve elitare të Evropës, si Milani, Juventusi, Arsenali, Çelsi, Bajerni i Mynihut apo Roma, ndaj edhe vetë futbollisti duket tepër i paqartë për të ardhmen e tij. Për 25-vjeçarin kuqezi kanë shprehur interes disa klube të mëdha evropiane, por nuk është arritur asnjë akord zyrtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›