Grabitet natën shtëpia e tregtarit
TIRANE- Grabiten 50 milionë lekë në shtëpinë e argjendarit të Laprakës, Kujtim Progni. Ngjarja ndodhi dy net më parë në banesën e tregtarit, në kohën kur ai ka qenë në dyqanin e tij në Laprakë. Sipas burimeve të policisë, autorët e ngjarjes kanë hyrë në banesë pikërisht në dhomën ku ndodheshin paratë dhe kanë marrë që andej të gjithë shumën e parave që ndodheshin aty. Kur pronari i shtëpisë është kthyer aty ka gjetur banesën në rregull, por paratë nuk ishin në vendin ku i kishte lënë. Pasi ka kontrolluar nëpër shtëpi, Kujtim Progni ka kuptuar se paratë ishin vjedhur. Për këtë ai ka njoftuar policinë e kryeqytetit, e cila ka nisur menjëherë hetimet për të zbuluar autorin e vjedhjes. Ekspertët dhe hetuesit e policisë së kryeqytetit kanë marrë deklarimet e pronarit të shtëpisë dhe personave të tjerë që mund të jepnin deklarime me vlerë për hetimin. Ekspertët gjatë këqyrjes së vendit ku ndodheshin paratë, kanë marrë dhe administruar gjurmë gishtash që, sipas tyre, ishin të vlefshme për identifikim. Nga hetimet e para të kryera nga policia, dyshimet për autorët lidhen me persona që kanë pasur dijeni mbi vendndodhjen e parave. d.b