Vllaznia dhe Shkumbini, në presion Tiranën
Janë luajtur dje tre nga ndeshjet e javës së dhjetë të Kategorisë Superiore, ku spikasin fitorja e Vllaznsë në Lushnje dhe ajo e Shkumbinit ndaj Apolonisë. Të dyja këto skuadra i janë afruar kreut të renditjes, duke hyrë në garë për titullin kampion. Vllaznia vendosi një rekord sezonal në javën e 10-të të Superiores me fitoren me të thellë, që një skuadër ka arritur në transfertë. 1-4 ndaj Lushnjës së trajnerit Vasil Bici, i cili ka përjetuar një nga ndeshjet më të hidhura të tij. Furia shkodrane nisi me shkodranin Elvin Beqiri (11’), vazhdoi me malazezin Bashiç (27’) e korçarin Paulin Dhembi (31’). 3-0 qysh në pjesën e parë i ftohu keq lushnjarët, që pësuan golin e katërt dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë, një gol i realizuar me penallti nga Suad Lici. Golin e nderit për Lushnjën e shënoi kapiteni Gentian Çela nga pika e bardhë në minutën e 93-të.
Shkumbini-Apolonia 2-0
Shkumbini ka arritur një fitore me mjaft vlera në fushën e tij duke mundur Apoloninë e Fierit me rezultatin e pastër 2 - 0 dhe tashmë e gjen veten në vendin e dytë në klasifikim. Trajneri i Shkumbinit Magani e kishte marrë seriozisht dhe shumë në konsideratë kundërshtarin duke mos toleruar për asnjë moment në fushën e blertë. Vendasit e kanë gjetur shumë shpejt rrugën e rrjetës duke shënuar që në minutën e 8’ me anë të bomberit të tyre Rizvanolli që nuk fal dhe shënon brenda zonës një gol me kokë. Të dy trajnerët mundohen të eliminojnë gabimet duke bërë nga dy ndërrime secili gjatë kësaj pjese, por më efikase do të jetë për ekipin vendas pasi maqedonasi Deliovski do të shënojë edhe golin e dytë që vulosi edhe fitoren. Skuadra e Shkumbinit e meritoi fitoren sepse e kërkoi më me ngulm atë dhe u shpërblye me tri pikët e plota e mjaft të vyera që e mbajnë në majë.
Teuta-Bylis 1-0
Teuta bën detyrën, duke fituar minimalisht ndaj Bylisit me rezultatin 1-0. Por trepikëshi i durrsakëve ka qenë mjaft i vuajtur. Vendësit kanë mbetur me zemër të ngrirë deri në fërshëllimën e fundit të kryesorit Lorenc Jemini, pasi miqtë nga Ballshi e “gozhduan” Teutën në portën e saj gjatë 20 minutave të fundit. Për të kaluar në avantazh, durrsakëve iu desh inkursioni i fuqishëm i Vangjel Miles. Beratasi që mbron ngjyrat e Teutës ndërpritet në mënyrë të parregullt nga mbrojtja ballshiote dhe kryesori Jemini nuk heziton, duke treguar pikën e bardhë të penalltisë. Është minuta e 71-të e takimit dhe përgjegjësinë e gjuajtjes e merr Emiliano Vila, i cili shënon.