Rrahu gruan, në pranga për armëmbajtje pa leje
TIRANE - Policia gjen një armë pa leje në shtëpinë e një 48-vjeçari, pasi mbërriti në banesë nga telefonata që lajmëroi se ai po dhunonte gruan e tij. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të premtes në fshatin Laknas të Kamzës, kur policia e komisariatit nr.5, është njoftuar për një rast të ushtrimit të dhunës në familje. Uniformat blu menjëherë kanë mbërritur në adresën e lajmëruar dhe kanë kryer një kontroll banese. Gjatë kontrollit në shtëpi, policia ka gjetur një armë zjarri pistoletë të markës "TT". Pas zbulimit të armës, policia ka arrestuar në flagrancë të zotin e shtëpisë, Sami Memën, 48 vjeç me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe të ushtrimit të dhunës ndaj bashkëshortes. Kjo e fundit kishte denoncuar në polici, se bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë, ngaqë ajo kishte shkuar të kërkonte punë për shkak të gjendjes së dobët ekonomike ku ndodheshin. Për këtë arsye sipas gruas, i shoqi kishte ushtruar fizike ndaj saj. Policia plotësoi urdhrin e mbrojtjes për gruan, ndërsa bashkëshorti i saj u arrestua në flagrancë me dy akuza. d.b