KE: Tre kushtet për heqjen e vizave, raporti më 15 nëntor
Komisioni Europian do të publikojë më 15 nëntor një raport të veçantë mbi dialogun për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së. Lajmi është konfirmuar nga zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Jacques Barrot, i cili tha se Komisioni do të detajojë në këtë raport pikat e dialogut për heqjen e vizave me secilin prej vendeve të rajonit të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Tre janë kushtet që i janë vendosur Shqipërisë në këtë proces: kontrolli i kufijve, siguria e dokumenteve të identitetit dhe lufta kundër korrupsionit. Një fakt i tillë u konfirmua në takimin e organizuar në Zagreb nga Presidenca franceze e Bashkimit Europian me ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të rajonit. "Duke njohur progresin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit në këto katër drejtime, zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Jacques Barrot, kërkoi nga vendet e Ballkanit Perëndimor të konsolidojnë luftën e tyre, veçanërisht kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zv/presidenti i Komisionit Europian qartësoi se më 15 nëntor Komisioni do të publikojë një raport, i cili do të detajojë me secilin prej vendeve pikat e dialogut për heqjen e vizave me Bashkimin Europian", thanë burimet zyrtare nga Ministria e Brendshme në Tiranë. Ky institucion u përfaqësua në takimin e Zagrebit nga zv/ministri Gent Strazimiri. Në takimin e ministrave në Zagreb mori pjesë edhe kreu i dikasterit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Dy përfaqësuesit e Shqipërisë në konferencë kanë theksuar se Qeveria shqiptare e ka vendosur në prioritetin e saj luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ministri i Drejtësisë, Alibeaj, foli për reformat në gjyqësor dhe paraqiti si rezultate të arritura në këto vite, luftën kundër grupeve të organizuara kriminale dhe kundërpërgjigjen e organeve të drejtësisë ndaj tyre. Sipas ministrit Alibeaj, këtyre grupeve kriminale të goditura gjatë viteve të fundit, shteti shqiptar ka arritur t'u bllokojë dhe konfiskojë pasuritë e vendosura në rrugë kriminale si magazina, ndërtesa dhe troje. Sipas ministrit të Drejtësisë bëhet fjalë për 23.514 metra katrorë truall, 2409 metra katrorë ndërtesa si dhe pasuri të luajtshme dhe mjete motorike. Dy zyrtarët shqiptarë paraqitën edhe reformat dhe rezultatet e arritura në drejtim të rritjes së sigurisë së dokumenteve të identifikimit dhe rritjes së bashkëpunimit me vendet e rajonit në luftën kundër kriminalitetit.