Sherr me thika pas zënkës në klasë
TIRANE - Një nxënës i shkollës 9-vjeçare mbeti i plagosur me thikë pas një grindje me një bashkëmoshatar të tij pas orarit të mësimit. Policia ndaloi agresorin e të plagosurit, ndërsa i dëmtuari është dërguar në spital për ndihmën mjekësore. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të së mërkurës pas orarit të mësimit, në shkollën "28 Nëntori" në Laprakë. Sipas policisë, A.K. dhe G.P., të dy përkatësisht 14-vjeçarë, nxënës të klasës së tetë të kësaj shkolle, kanë nisur të fjalosen pa rënë në sy të mësuesve. Pasi kanë dalë nga shkolla, jashtë rrethimit të saj, protagonistët e ngjarjes kanë vijuar grindjen mes tyre. Sipas burimeve të policisë, një prej nxënësve ka goditur shokun dhe ata më pas kanë nisur të shahen dhe qëllohen mes tyre me grushte. A.K., ka pasur me vete një mjet të mprehtë, që sipas policisë e ka nxjerrë dhe e ka përdorur për të goditur të miturin me iniciale G.P. Ky i fundit ka mbetur i plagosur dhe menjëherë është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku i është dhënë ndihma e nevojshme, ndërsa ai nuk ka pasur rrezik. Pas mjekimit në spital policia ka pyetur të plagosurin, ndërsa më parë kishte shoqëruar bashkëmoshatarin tjetër në komisariat. d.b