E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinton, ish-rivalja më e fortë bëhet ndihmësja më e ngushtë

 

Presidenti i zgjedhur amerikan, Barak Obama ka zbuluar emrat e kabinetit të tij të Sigurisë të hënën në mëngjes, ku ish-rivalja e tij më e madhe është kthyer në ndihmësen më të ngushtë për presidentin. Në një konferencë shtypi në Çikago, mbledhur për të shpallur përbërjen e ekipit të tij të Sigurisë Kombëtare ai e përshkroi senatoren Klinton, si një amerikane me vlera të mëdha. Hilari Klinton, ashtu siç ishte paralajmëruar, u emërua dje sekretarja amerikane e Shtetit. Obama tha se zgjedhja e tij për senatoren Klinton, ishte shenjë për “miqtë dhe armiqtë” që t’i rivendosë aleancat në Shtetet e Bashkuara. “Emërimi i Hillary është shenjë për miqtë dhe armiqtë për seriozitetin e përkushtimit tim për ta ripërtërirë diplomacinë amerikane dhe rivendosur aleancat tona. Ka shumë për të bërë, prej parandalimit të përhapjes së armëve bërthamore nga Irani dhe Koreja e Veriut, e deri në kërkimin e paqes së qëndrueshme ndërmjet Izraelit dhe Palestinezëve dhe forcimin e institucioneve ndërkombëtare”, tha Obama. Klinton tha se ajo do t’i përkushtohet plotësisht administratës Obama dhe vendit të saj. “Duke e zgjedhur Barak Obamën për president tonë të ri, populli amerikan kërkoi jo vetëm erë të re në vend, por përpjekje të re për ta ripërtërirë qëndrimin e Amerikës në botë si forcë pozitive për ndryshime”, tha Klinton. Veç saj në ekipin e Sigurisë janë Robert Gejts, i cili do të vazhdojë të mbetet sekretar i Mbrojtjes, Xhejms Xhons është zgjedhur si këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe Xhenet Napolitano, si sekretare e Sigurisë së Brendshme. Obama ka njoftuar gjithashtu, se Erik Holder është zgjedhja e tij për të drejtuar Departamentin e Drejtësisë si prokuror i Përgjithshëm dhe Suzan Rajs është emëruar si ambasadorja e ardhshme në OKB. Gejts në deklaratën e tij tha se ishte thellësisht i nderuar për të vazhduar detyrën si shefi i Mbrojtjes. Analistët komentojnë se duke bërë këto zgjedhje për ekipin e sigurisë, Obama ka dërguar një sinjal të qartë se kabineti i tij do të përfshijë zëra të fortë dhe të dyanshëm të sigurisë kombëtare. Obama tha se çështjet e Sigurisë Kombëtare do të marrin qendrën e vëmendjes kur ai të vendoset në zyrën e tij në janar. Hilari Klinton do të japë dorëheqjen nga Senati për të drejtuar Politikën e Jashtme amerikane, që do të jetë kapitulli më i fundit i karrierës së saj publike.

Stafi i Obamës

- Rahm Emanuel, shefi i stafit

- Hilari Klinton, sekretare Shteti

- Robert Gejts, sekretar i Mbrojtjes 

- Tim Geithner, sekretar i Thesarit

- Lorenc Samers drejtor i Këshillit Kombëtar Ekonomik

- Pol Volker, kryetar i Bordit të Rimëkëmbjes Ekonomike

- Xhejms Xhons, këshilltar i Sigurisë Kombëtare

- Xhenet Napolitano, sekretare e Sigurisë së Brendshme.

- Austan Gulsbi, shef ekonomie në Bordin e Rimëkëmbjes
   
- Kristina Romer, këshilltare në Këshillin Ekonomik

- Melodi Barners, drejtoreshë e Këshillit të Politikës së Brendshme

- Peter Orszag, drejtor i Menaxhimit të Buxhetit

- Robert Nabors, zv/drejtor i Menaxhimit të Buxhetit

- Erik Holder, prokuror i Përgjithshëm

- Suzan Rajs, ambasadorja e SHBA-së në OKB.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›