E Hënë, 2 Nëntor 2026

Evidentohen 120 mijë ha tokë e lirë

18/02/2005  Ministria e Bujqësisë paraqet hartën e pronave, që do të përdoren për kompensimin e ish- pronarëve

Ngec regjistrimi i pasurive, procesi është realizuar vetëm në 72 për qind

Komisioni i Tokës në Ministrinë e Bujqësisë bëri të ditur se deri më tani janë verifikuar rreth 120 mijë hektarë tokë bujqësore të lira. Verifikimi është bërë në kuadrin e përgatitjes së hartave për tokat, që do të përdoren për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Të dhënat do të vihen në dispozicion të Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që do të jetë institucioni përkatës që do të paraqesë faturën financiare për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Evidentimin e aseteve që do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve pritet që ta paraqesë dhe Ministria e Rregullim Territorit. Sipas ligjit, ndërmarrjet me kapital shtetëror do të jenë në dispozicion të komitetit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Por, deri më tani, nuk janë paraqitur të dhënat se sa kapital zotëron ende shteti shqiptar dhe që do të kalojnë në dispozicion të ish-pronarëve. Megjithatë, burimet thanë se të dhënat do të bëhen publike para datës 24 shkurt, kur Shqipëria do të paraqesë para Komisionit Evropian hapat që janë ndërmarrë për kompensimin e pronarëve të ligjshëm. Shifra e dhënë nga komisioni i Ministrisë së Bujqësisë, për hartën e tokave të lira, është më e ulët nga ajo që ka paraqitur një vit më parë Komiteti i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në atë kohë është thënë se në Shqipëri janë 133 mijë hektarë tokë bujqësore. Por, duke parë se gjatë një viti ka pasur vendime për ndërtime të fshatrave turistike apo veprimeve të tjera, është kërkuar rishikimi i hartës së tokave të lira.

Hipotekat

Specialistët e Ministrisë së Bujqësisë theksuan dje se mungesa e tapive, zbatimi me ritme të ngadalta i projektit të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, si dhe rritja e rasteve të konflikteve midis pronarëve, vazhdojnë të mbeten probleme që kërkojnë zgjidhje edhe nga institucionet e tjera. Nga të dhënat statistikore, deri në fund të vitit 2004, llogaritet të jenë dhënë rreth 72% e tapive për tokën e ndarë. Ndaj është kërkuar më shumë bashkëpunim me pushtetin vendor për të përfunduar procesin e nisur disa vite më parë. Faktikisht dhe në diskutimet e zhvilluara me Komisionin e Bujqësisë, disa muaj më parë, specialistët e Ministrisë së Bujqësisë kanë deklaruar për pengesat e hasura deri më tani për regjistrimin e tokës bujqësore. Duket se procesi i financuar dhe nga organizmat ndërkombëtare do të vazhdojë dhe gjatë këtij viti.

Komiteti i Pronave në pritje të metodikës

Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pritet të zhvillojë javën e ardhshme një mbledhje për të miratuar rregulloren e funksionimit të komisioneve vendore në procesin e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve. Burimet kanë bërë të ditur se këto ditë po priten vërejtjet e anëtarëve të komisioneve dhe më pas do të kalohet në votimin përfundimtar. Pas këtij veprimi do t'i hapet rruga e plotë procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve. Megjithatë, një tjetër pengesë pritet të jetë dhe paraqitja e një studimi të plotë të çmimit të tokës në të gjithë zonat e Shqipërisë. Studimi mbi këtë pikë do të nisë pasi Kuvendi të ketë miratuar metodikën e kritereve për vendosjen e çmimit mbi tokën.

Të dhënat e një viti më parë

Toka bujqësore e pandarë

Berat 6001

Kuçovë 802

Skrapar 3945

Dibër 5522

Bulqizë 4764

Mat 4432

Krujë 1075

Elbasan 4451

Gramsh 3710

Librazhd 5282

Peqin 1174

Fier 2757

Lushnjë 2340

Mallakastër 1323

Gjirokastër 2041

Përmet 5826

Tepelenë 5636

Kukës 3700

Tropojë 2786

Korçë 9850

Kolonjë 3097

Devoll 2796

Pogradec 8980

Lezhë 140

Mirditë 1949

Tiranë 678

Kavajë 1086

Shkodër 2114

M. Madhe 6804

Pukë 2757

Vlorë 3447

Sarandë 319

Gjithsej 110584

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›