E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaka vlerëson ligjin për mbrojtjen e investimeve



Investimet e huaja në Shqipëri, eksportet dhe ecuria e tyre janë bërë dje pjesë e diskutimit në forumin e Krans Montanës, në ditën e dytë të zhvillimit. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, gjatë fjalës së tij vlerësoi nismën ligjore të Qeverisë për mbrojtjen e investimeve. "Vendimi i fundit i Qeverisë për të marrë përsipër riskun e investimeve, në raport me të drejtën e pronësisë, flasim këtu gjithnjë për sektorin e turizmit, prej çastit që shteti ka hyrë në marrëdhënie juridike me investitorin e huaj, përbën një garanci të paçmueshme për ecjen përpara të çdo investimi", tha Jaka. Duke i bërë një paraqitje të përgjithshme sektorëve më të rëndësishëm ku janë orientuar investitorët, Jaka përmendi atë minerar, fasonet, energjetikën dhe turizmin. Po kështu, kreu i Dhomës së Tregtisë erdhi me një sërë propozimesh, lidhur me investimet dhe biznesin. "është bërë më se i nevojshëm krijimi i tregut të kapitaleve, në mënyrë, që qoftë operatorët financiarë, ashtu edhe publiku, të mund të diversifikojnë rrugët e investimeve" tha ai. Veç të tjerash, Jaka u ndal edhe tek amnistia fiskale, duke theksuar se legalizimi i aseteve fizike të shoqërive vendase dhe kalimi në një standard të ri të ekonomisë drejt formalizimit të plotë të marrëdhënieve të tregut në Shqipëri do t'i japin një hov të rëndësishëm rritjes së profilit financiar të ekonomisë vendase.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›