E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skavica, tri projektet për HEC në kaskadën e Drinit



nertila maho

Skavica, hidrocentrali më i madh i projektuar për t'u ndërtuar mbi Fierzë si pjesë e kaskadës së Drinit, është rikthyer në qendër të vëmendjes në Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Kreu i kësaj ministrie, Dritan Prifti, mblodhi dje grupin e punës për të diskutuar rreth alternativave më të mira për ndërtimin e kësaj vepre energjetike, referuar studimeve të kryera. Prifti theksoi se duhet të bëhet përzgjedhja e projektit më të mirë për t'iu paraqitur Qeverisë. "Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës është shumë i rëndësishëm për të bërë një rregullim më të mirë të lumit Drin, për të shtuar fuqinë prodhuese dhe për të minimizuar efektet e përmbytjeve nga prurjet e mëdha në stinë të caktuara. është një detyrë që na është dhënë neve për ta zgjidhur dhe takimi i sotëm duhet të përqendrohet te variantet e ndryshme dhe pastaj të diskutojmë se cili mund të jetë më i miri", tha ministri. Ai shtoi se pasi të përzgjidhet, projekti përfundimtar mund të përballohet me fondet e buxhetit të shtetit. Drejtori i Njësisë së Menaxhimit të Projektit në METE, Bujar Leka, ishte i pari që bëri prezantimin para grupit të punës të dy varianteve të vjetra për hidrocentralin e Skavicës të hartuara nga institutet shqiptare para viteve '90. "Kemi dy variante të studiuara. I pari parashikon ndërtimin e një dige të lartë 163 metra me një kuotë 445 metra mbi nivelin e detit. I dyti parashikon ndërtimin e një dige 210 metra me kuotë 485 metra", u shpreh Leka. Alternativa e tretë e prezantuar ishte një variant i hartuar vitet e fundit nga KESH, Banka Botërore dhe nga kompania Sogreah. Nga ana e specialistes që prezantoi këtë studim u theksua se alternativa më e mirë është ndërtimi i Skavicës 385 metra. "Kostoja e ndërtimit të këtij hidrocentrali do të shkonte 214.3 miliardë euro dhe raporti kosto-fitim do të ishte i justifikueshëm edhe me shitjen e energjisë 70 euro për megavat. Nëse zbatohet alternativa 385 metra, parashikohet që të mbyten 120 shtëpi dhe të zhvendosen 650 banorë", tha ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›