Talasemikët, apel për dhurimin e gjakut
Në prag të 8 majit, Ditës Ndërkombëtare kundër luftës së talasemisë, autoritetet shëndetësore përcollën apelin për të dhuruar gjak. Vetëm në këtë mënyrë do të mund t'u shpëtohet jeta qindra personave të prekur nga kjo sëmundje. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili tha se duhet të arrihet objektivi i dhurimit të gjakut pa pagesë, pasi ai është më i sigurt, ndërkohë që këtë e dëshmon dhe fakti, tha ai, se dy vitet e fundit nuk janë shënuar raste të talasemikëve me infeksione, si hepatitet apo virusi HIV. "Në Shqipëri të krijohet një frymë tashmë, në nivel kombëtar, duke investuar në mënyrë vullnetare si të vetmen dhe më të mirën zgjidhje për problemin e madh të sigurimit të gjakut dhe ky sigurim gjaku është jetik, për një problem të rëndësishëm siç është talasemia", tha Vasili. Zonja Liri Berisha, presidente e fondacionit "Fëmijët shqiptarë", theksoi se do të vazhdojë fushatën sensibilizuese, për të ndihmuar këta fëmijë, ndërkohë që duhet të kontribuojnë të gjithë, kundër luftës së talasemisë. "Kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme me institucionet të Qeverisë, për të rimbursuar preparatin shumë komod për këta të sëmurë, të cilin tashmë shteti e rimburson 100 për qind, që prej vitit 2005", tha Liri Berisha. Në konferencën për parandalimin e talasemisë dhe siguria në mjekësinë transfuzionale, ka marrë pjesë Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, Ambasadori italian në vendin tonë, Saba D'Elia, kryetari i komisionit parlamentar i shëndetësisë Tritan Shehu.