NATO-ja, masa të rrepta për zgjedhjet lokale të Kosovës
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler, tha se misioni i tij do të sigurojë rendin në të gjithë vendin, ditën e zgjedhjeve lokale më 15 nëntor në Kosovë. Edhe pse misioni që ai udhëheq, nuk ka përgatitur plane të veçanta operative, nuk pritet përkeqësim i situatës së sigurisë. Këto komente, Bentler i bëri në një konferencë për mediat, ku theksoi se për të garantuar siguri të plotë në tërë Kosovën më 15 nëntor, KFOR-i do të bashkëpunojë me mekanizmat e tjerë të sigurisë në vend. “Zgjedhjet e para, të organizuara në mënyrë të pavarur nga institucionet e Kosovës, kanë vëmendjen tonë kryesore. Ne, së bashku me të gjithë partnerët tanë, veçanërisht me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës, do të sigurojmë një ambient të qetë dhe të sigurt. Ne do të jemi aty për njerëzit e Kosovës, do të jemi të gatshëm të reagojmë shumë shpejt. Kemi vendosur planet tona. Ne jemi të vetëdijshëm për situatën në të gjitha komunat dhe mendoj se jemi shumë mirë të përgatitur për të garantuar një ambient të sigurt”,- tha Bentler, për të shtuar se KFOR-i nuk e ka parë si të nevojshëm krijimin e planeve specifike të operimit për të dielën e ardhshme. Gjenerali gjerman theksoi gatishmërinë e trupave të KFOR-it për të reaguar në mënyrë të duhur në çfarëdolloj situate, e cila mund të ndodhë në vend, por tha se për momentin situata aktuale e sigurisë në të gjithë territorin e Kosovës është e qetë. Aktualisht, NATO-ja ka rreth 13,500 paqeruajtës ndërkombëtarë në Kosovë. Një ndër fushat për të cilat ky mision vazhdon të jetë përgjegjës, është dhe operacionalizimi i plotë i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
10 Nentor 2009