E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evra kapet mat me një bionde

Mbrojtësi i Mançester Junajtid filmohet në 02:00 të mëngjesit në hotel me një femër misterioze, 24 kilometra larg shtëpisë ku banon me familjen Tjetër skandal në Premiership, pas atyre ku protagonistë ishin Xhon Terri dhe Ashli Kol

Patris Evra, lojtari i Mançester Junajtid, merr një puthje nga një bionde shumë simpatike rreth orës 02:00 të mëngjesit, në një hotel jo shumë luksoz. Mbrojtësi i martuar francez u kap nga kamerat e sigurisë së hotelit që ndodhet rreth 24 kilometra larg shtëpisë ku banon në çeshajër më datën 8 shkurt. Imazhet tregonin yllin e “Djajve të Kuq” duke bërë shaka me femrën, e cila më pas u afrua dhe e puthi në faqe, ndërkohë që po prisnin ashensorin. Evra, babai i një fëmije, i cili mbajti shiritin e kapitenit në fitoren që Junajtid arriti në finalen e “Carling Cup” në stadiumin “Uembli” u pa në shoqërinë e femrës misterioze në orën 01.43 të mëngjesit. Ai parkoi makinën jashtë hotelit, ndërkohë që bukuroshja pagoi dhomën me kartën e saj të kreditit. Vajza u kthye te makina e parkuar, ndërsa më pas rihyri në hotel, e ndjekur nga futbollisti milioner që tentonte të fshihej poshtë kapuçit të bluzës. Dymbëdhjetë sekonda më pas, Evra, i martuar me Sandrën dhe babi i 4-vjeçarit Leni, iu drejtua ashensorëve me bionden, me të cilën bënte shaka dhe qeshte. Ndërsa prisnin, vajza e puthi në faqe, pa e imagjinuar se po filmohej nga kamerat e brendshme të hotelit.

Të premten, lojtari i përfaqësueses franceze pranoi se ai ishte personi i paraqitur në pamjet filmike, megjithatë nuk pranoi që të tregonte arsyen përse ndodhej në hotelin 24 kilometra larg shtëpisë, në orët e para të mëngjesit. I veshur me një bluzë ngjyrë vjollcë, ai foli nga xhami i makinës tip fuoristradë, përpara se të nisej për stërvitjen nën urdhrat e trajnerit Sër Aleks Ferguson. Fillimisht Evra u shfaq i hutuar, por pasi studioi videon ai tha: “Po, në pamje jam unë. Mendoj se nuk e kam të ndaluar që t’i flisja kësaj femre, megjithatë ishte thjesht një rastësi që ndodheshim në të njëjtin hotel”. I pyetur përse biondja e puthi, 28-vjeçari shtoi: “Nuk e kam takuar asnjëherë më parë”, më pas mbylli xhamin dhe u largua me automjetin e tij. Gjithsesi, në hotel kishte persona të cilët e njohën lehtë futbollistin. Njëri prej tyre tha: “Nuk arrija ta besoja. U habitëm, sepse në një orë të pazakonshme ngritëm kokat dhe pamë një bukuroshe që prenotoi një dhomë, ajo ishte e veshur mirë dhe dukej si modele. Më pas në hotel hyri dikush i veshur me kapuç që e ndoqi vajzën pas, por nuk e patëm të vështirë ta njihnim. Po bëhesha gati t’i kërkoja një autograf, por ai shkoi menjëherë drejt ashensorit. Hoteli nuk ishte luksoz apo i njohur e për këtë arsye ishte e çuditshme të shikoje që një lojtar i Junajtid vjen aty në orët e para të mëngjesit”. Ngjarja ka ndodhur 25 minuta larg shtëpisë së Evrasë, i cili e ka njohur bashkëshorten Sandra në gjimnaz, për një lidhje që zgjat prej mbi 15 vjetësh.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›