E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të mos ngrihet flamuri i bardhë

31/05/2005  Pas JO-së franceze në referendumin për Kushtetutën e Evropës

Nëse “ndeshja” do të mbyllej në këtë çast, atëherë do të kryenim katër gabime. Do t’i jepnim Francës, një të drejtë vetoje. Do t’i jepnim një shuplakë Danimarkës dhe Irlandës. Do të zhvlerësonim votën e atyre që e kanë ratifikuar tashmë Kushtetutën. Dhe do t’i dhuronim Britanisë së Madhe mundësinë për t’iu shmangur orës të së vërtetës

Nëse vazhdojmë procesin e ratifikimit, në të kundërt, do të arrinim dy rezultate të rëndësishme: do të kemi një radiografi të plotë të Evropës, dhe, mbi të gjtiha, do të detyrojmë Francën, ndërkohë, që të vlerësojë me përgjegjësi peshën e vendimeve të saj. Vota kundër e francezëve është një potpuri ndjenjash, paragjykimesh dhe vlerësimesh kontradiktore

Madhësia e një krize matet në një analizë të fundit nga reagimi i atyre që janë goditur. Ajo që plasi dje në Evropë, pas JO-së së vendosur franceze ndaj kushtetutës së Bashkimit Evropian, është me siguri e rëndë, por nuk është e vetmja, me të cilën është dashur të përballet procesi i integrimit, gjatë historisë së tij. Ka edhe momente të tjerë dramatikë: votimi kundër ratifikimit të Komunitetit Evropian të Mbrojtjes në Parlamentin francez, në gushtin e vitit 1954, “karrigia bosh” e Francës në Këshillin e Komunitetit nga korriku deri në tetor 1965, JO-ja e Danimarkës ndaj Traktatit të Maastrichtit në qershor të vitit 1992, JO-ja e Irlandës ndaj Traktatit të Nicës, në qershor 2001. Në secilin prej këtyre rasteve, Evropa ka shmangur kolapsin apo shpërbërjen, është rindrequr, ka gjetur zgjidhje inteligjente dhe zgjedhur rrugë të reja.

I pari problem, që duhet përballuar sot (një problem, nga i cili varet në shumë aspekte evoluimi i krizës), është vazhdimi i procesit të ratifikimit në vendet anëtarë të BE, ku ende nuk është zhvilluar votimi. Kjo gjë parashikohet në një deklaratë që ka të bëjë me Kushtetutën: nëse në fund të një periudhe dyvjeçare, duke filluar nga firmosja e Traktatit, katër të pestat e vendeve (domethënë 20 nga 25) kanë ratifikuar dhe “një ose më shumë shtete kanë patur vështirësi në procedurat e ratifikimit”, çështja i kalon Këshillit të Evropës. Ndokush këmbëngul se vota kundër e Francës e bën këtë proces të panevojshëm, madje edhe të dëmshëm. Shembulli i Parisit mund të “infektojë” një numër të madh vendesh dhe ta bëjë të pandreqshme krizën. Qeveria britanike, në mënyrë të veçantë, do të ishte e kënaqur të hiqte dorë nga referendumi i popullit të saj, duke shmangur në këtë mënyrë një provë shumë të vështirë.

Por, në një artikull të botuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare, dy studiues, Gian Luigi Tosato dhe Ettore Greco, këmbëngulin me argumente shumë të saktë se ndërprerja do të ishte e pajustifikuar dhe kujtojnë se vota kundër e Danimarkës dhe Irlandës nuk bllokoi ratifikimin e traktateve të Maastrichtit dhe Nicës. Besoj se kanë të drejtë. Vendet, që tashmë e kanë ratifikuar dokumentin, janë nëntë, dhe në ta përfshihen edhe dy shtete themelues: Italia dhe Gjermania. Nëse “ndeshja” do të mbyllej në këtë çast, atëherë do të kryenim katër gabime. Do t’i jepnim Francës, një të drejtë vetoje. Do t’i jepnim një shuplakë Danimarkës dhe Irlandës. Do të zhvlerësonim votën e atyre që e kanë ratifikuar tashmë Kushtetutën. Dhe do t’i dhuronim Britanisë së Madhe (një vend gjithnjë dyfrontësh, gjysmë -evropian gjysmë-atlantik) të mundësinë për t’iu shmangur orës të së vërtetës.

Nëse vazhdojmë procesin e ratifikimit, në të kundërt, do të arrinim dy rezultate të rëndësishme: do të kemi një radiografi të plotë të Evropës, dhe, mbi të gjitha, do të detyrojmë Francën, ndërkohë, që të vlerësojë me përgjegjësi peshën e vendimeve të saj. Vota kundër e francezëve është një potpuri ndjenjash, paragjykimesh dhe vlerësimesh kontradiktore. I takon qeverisë franceze, në fund të fundit, se cilat janë kritikat, të cilat duhet t’i mbajë mirë parasysh dhe cilat do të ishin të panevojshme. Ndërkohë, neve na takon të mbajmë gjallë perspektivën e Kushtetutës, pa e fashuar kokën, përpara se të na lëndohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›