Kapllani rikthehet si... zëvendësues
Sulmuesi 26-vjeçar, Edmond Kapllani, ishte zëvendësues te Karlsruhe që barazoi pa gola në transfertë me Këlnin të shtunën, në javën e 20-të të kampionatit gjerman. Kapllani hyri në lojë në minutën e 81-të. Karlsruhe renditet e 16-ta me 17 pikë. Ndërkohë Altin Lala (Hanover) dhe Faton Toski (Eintraht Frankfurt) munguan për skuadrat e tyre në ndeshjen e së shtunës. Mbrojtësi kosovar, Mërgim Mavraj, ka luajtur 90 minuta për Bohumin që mposhti Shalken me rezultatin 2-1, të shtunën, në kuadër të javës së 20-të të kampionatit gjerman në Bundesligën 1. 22-vjeçari Mavraj u ndëshkua me karton të verdhë në këtë ndeshje. Kjo ishte paraqitja e 11-të këtë edicion për të. Bohumi mban vendin e 15-të me 17 pikë. Sulmuesi kosovar Njazi Kuqi ka realizuar dy gola në fitoren e parë të Koblenzit në pjesën e dytë të garave në Bundesligën 2 të Gjermanisë. Koblenzi, të premten mbrëma, në kuadër të javës së 20 mposhti Vehenin si mysafir me shifrat 3-1. Kuqi shënoi golin e parë në ndeshje, në minutën e 38-të pas asistit të Fatmir Vatës dhe të tretin në minutën e 59-të. Kuqi dhe Vata ishin titullarë te Koblenzi. Sulmuesi kosovar Alban Ramaj është paraqitur në përbërjen bazë të Emdenit, që u mposht 2-1 nga Braunshveigu, të shtunën në javën e 22-të të Bundesligës 3. 23-vjeçari Ramaj luajti deri në minutën e 69-të dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Titullar të shtunën ishte edhe mesfushori ofensiv, Enis Alushi (23). Ai luajti deri në minutën e 82-të për Paderbornin, që u mposht në shtëpi me rezultatin 2-1. Sulmuesi tetovar Bajram Fetai ka realizuar gol në fitoren 2-1 të Nordsjaellandit danez kundër Trelleborgut të Suedisë. Takimi ishte miqësor dhe u zhvillua të shtunën. 23-vjeçari Fetai shënoi golin e parë në ndeshje në minutën e 27-të. Ai luajti deri në minutën e 65-të.