E Diel, 1 Nëntor 2026

VIPAT VOTOJNË, Dritëro Agolli: “Të rinjtë ta marrin votimin me seriozitet”



Petrika GROSI
Natyrisht që nuk mund t’i merrnim të gjithë në pyetje por përzgjodhëm disa nga figurat më të njohura të artit dhe televizionit, të cilët i pyetëm nëse votuan dje, mbi situatën në qendrat e votimit dhe orarin kur shkuan që të jepnin verdiktin e tyre. Të bie në sy serioziteti dhe sinqeriteti i shkrimtarit Dritëro Agolli, i cili pohon se vota e tij ka shkuar për Edi Ramën dhe më tepër se kaq, përshtypje të bën serioziteti me të cilin ai e ka marrë këtë ditë (28 qershorin) duke e quajtur një moment të rëndësishëm historik për vendin dhe fatin e kombit, por që fatkeqësisht, të rinjtë ende nuk e kanë të qartë rëndësinë e të votuarit si akti më i rëndësishëm qytetar. Ndërkaq, nga bota e spektaklit dhe televizionit kemi pyetur Adi Krastën dhe Arian Çanin, të cilët gjithashtu kanë votuar në qendrat përkatëse, i pari që në orën 09:00 dhe i dyti në orën 11:00, për të kaluar më tej te kantautori Redon Makashi që votoi rreth orës 15:00, pa harruar këtu shkrimtarin, dramaturgun, publicistin dhe diplomatin Teodor Laço, që gjithashtu, nuk mund të rrinte pa votuar për asnjë arsye, siç pohon ai për gazetën “Albania”.

Adi Krasta votoi në orën 09:00

Prezantuesi dhe gazetari Adi Krasta tregon për gazetën “Albania” se ndonëse nuk i pëlqen shumë atmosfera zgjedhore ka shkuar që herët në mëngjes, në orën 09:00 për të votuar në qendrën e tij që ndodhej te shkolla “Dëshmorët e Lirisë”, Njesia bashkiake nr. 5, Tiranë. “Votova që në mëngjes sepse do të lëvizja më vonë pasi kisha punë” – thotë ai duke shtuar se situata dukej e qetë.

Dritëro Agolli votoi në orën 09:30

Shkolla “Sami Frashëri”, Njesia bashkiake nr. 9, Tiranë ka qenë qendra e votimit ku do të shkonte dje krahas të tjerëve edhe shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli. “Mosha jonë gjithmonë i ka marrë me seriozitet të madh zgjedhjet dhe votën time, unë e kam deklaruar njëherë.” – thotë ai. “Sot (dje) në mëngjes rreth orës 09:30, pasi u rregullova dolëm bashkë me Sadijen dhe shkuam që të votonim. Qendra ishte shumë e qetë dhe procesi dukej normal. Edhe mbesa ime, Ana, e cila ka mbushur 18 vjeç votoi për herë të parë.” Më tej shkrimtari vijon se “është për të ardhur keq që të rinjtë, ndryshe nga ne, nuk e marrin me seriozitetin e duhur këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe të ardhmen e kombit tonë.”

Zhani Ciko votoi në orën 09:30

Shkolla “Dëshmorët e Lirisë”, Njesia bashkiake nr. 5, Tiranë ishte qendra ku ka votuar dje në orën 09:30 maestro Zhani Ciko, bashkë me të shoqen, Rudinën dhe nënën e tij të moshuar Evanthinë. Gjithçka dukej normale nga ky proces edhe për këtë familje artistësh.

Arian Çani votoi në orën 11:00

Gazetari i “Zonë e lirë” në Vizion Plus, Arian Çani tregon se ka shkuar të votojë dje në orën 11:00, në zonën e tij që ndodhej te shkolla “Kushtrimi i lirisë”, Rr. “Ali Demi”, Njesia bashkiake nr. 1, Tiranë. “Votova paradite, në orën 11:00. Situata dukej e qetë, pjesëmarrja e madhe, ne do fitojmë... ” – shprehet ai.

Teodor Laço votoi në orën 11:30

Në orën 11:30 të ditës së djeshme shkrimtari dhe dramaturgu Teodor Laço, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij kanë shkuar për të votuar në qendrën përkatëse që ndodhej te Ambulanca iraniane, Njesia bashkiake nr. 2, Tiranë. Sipas tyre, klima dukej e qetë, të gjithë merrnin fletët, votonin e më pas largoheshin normalisht.

Redon Makashi votoi në orën 14:49

“Tani porsa kam dalë nga qendra e votimit te shkolla ‘Dëshmorët e Lirisë’, Njesia bashkiake nr. 5, Tiranë dhe gishtin e kam ende me bojë” – tregon kantautori i njohur Redon Makashi teksa e ngacmojmë pak duke i thënë se dje nuk kishte votuar. Sa i përket situatës që këngëtari ndeshi në zonën e votimit Makashi thotë: “Gjithçka shkonte normalisht dhe situata dukej e qetë. Lagjia jonë asnjëherë nuk ka pasur probleme.”

Ndriçim Xhepa, pa votuar deri në mesditë

Duhet të votonte në shkollën “Qemal Stafa”, Njesia bashkiake nr. 10, Tiranë, ndërkohë që deri në orën 15:00, aktori i madh i skenës dhe ekranit shqiptar, Ndriçim Xhepa, i kontaktuar nga gazeta “Albania” tregon se ende nuk ka shkuar që të votojë; “Sot nuk kam dalë fare nga shtëpia. Jam marrë gjithë ditën me djalin tim (Martinin) dhe nuk kam pasur kohë të votoj. Them të shkoj pasdite për ta hedhur votën time” – përfundon ai.

Ismail Kadare zgjedh heshtjen

Qendra e tij e votimit, sipas formularit elektronik që shfaqet kur kërkon në uebsajtin zyrtar të Ministrisë së Rendit duhet të ishte te shkolla “Sami Frashëri”, Njesia bashkiake nr. 9, Tiranë. Nuk e kemi të qartë nëse shkrimtari i madh Ismail Kadare ka votuar apo jo ditën e djeshme, pasi gjatë bisedës telefonike që zhvilluam me të na mungoi si pohimi, ashtu dhe mohimi. “Nuk më pëlqen të deklaroj asgjë përsa i takon politikës” – u shpreh ai.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›