Tiranë, 4 incidente në zgjedhje
Etleva Delia
Incidentet kryesore të ndodhura dje gjatë votimeve në Qarkun e Tiranës kanë të bëjnë kryesisht me gjetjen e pajisjeve elektronike te komisionerët, vëzhguesit dhe kandidatët për deputetë. Gjatë gjithë ditës, në kryeqytet ka pasur vetëm katër incidente, të cilat nuk kanë cenuar procesin. Në orën 09:45 në Qendrën e Votimit nr.1862, te shkolla “Shyqyri Peza” në Kombinat, nga Komisioni i Qendrës së Votimit është kërkuar ndërhyrja e policisë për nxjerrjen jashtë të Mihal Xhakës, vëzhgues i PS-së, i cili sipas KQV-së mbante sende të palejuara në Qendrën e Votimit. Shërbimet e Komisariatit nr.6 shkuan në Qendrën e Votimit pas kërkesës nga komisioni, i cili kërkoi që Xhaka të shoqërohet dhe pajisjet të mbahen në komision. Rreth çerek ore më vonë, në 10:00, një incident ka ndodhur në një qendër zgjedhore në lagjen “Kombinat”. Kandidati socialist Saimir Tahiri është konfrontuar me forcat e policisë. Tahiri tha se e kanë larguar me dhunë nga qendra zgjedhore, duke shtuar se policia ka dashur të ndalojë vëzhguesin e Partisë Socialiste. Mësohet se incidenti me përfaqësuesin e selisë rozë është shkaktuar pasi një komisioner mbante kamera në qendrën e votimit. Ministria e Brendshme reagoi menjëherë pas denoncimit të Tahirit, duke thënë se personat që janë konfrontuar nuk janë efektiva policie dhe as të Gardës së Republikës. Një orë më vonë, në 11:00, në polici u depozituan dy kallëzime penale për fyerje dhe kanosje në ngarkim të tre ish-punonjësve të Policisë së Shtetit. “Në afërsi të shkollës ‘Mysime Kokalari’ në Tiranë, dy persona, vëzhgues të jashtëm të PD-së, janë fyer dhe kanosur nga simpatizantë të PS-së, midis të cilëve edhe tre ish-punonjës të Policisë së Shtetit. Të dy personat, për të mos u përplasur fizikisht me këta simpatizantë, shkuan në Komisariatin nr.6, ku depozituan kallëzim penal për fyerje dhe kanosje në ngarkim të tre ish-punonjësve të Policisë së Shtetit, Pjerin Ndreut, Valentin Florinit dhe Fatmir Lleshit. Rreth tri orë më vonë, në 14:30, Komisioni i Qendrës së Votimit 15/95 i lagjes nr.4 në Bathore ka përzënë nënkryetarin e KZAZ-së së Kamzës, Altin Xhixha, në kohën që ai ka hyrë për të parë se si po shkonte procesi i votimit. Pas këtij incidenti, në vendngjarje shkuan vëzhgues të OSBE-ODIHR-it dhe forcat e policisë të njoftuara nga nënkryetari i KZAZ-së.