E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat e huaja: Shqipëria përgatitet për testin e Bashkimit Europian

Televizionet dhe agjencitë më prestigjioze pasqyrojnë zgjedhjet në Shqipëri. Procesi zgjedhor konsiderohet si kushti parësor për integrimin e vendit në BE

Blerina Olldashi
Televizionet, gazetat dhe agjencitë më prestigjioze të lajmeve ndërkombëtare në mbarë botën kanë pasqyruar procesin e djeshëm zgjedhor të zhvilluar në vendin tonë. Shqipëria dhe zgjedhjet parlamentare kanë qenë në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare. Në artikuj të ndryshëm është theksuar se zgjedhjet e 28 qershorit konsiderohen si test për integrimin europian dhe provë e kredencialeve demokratike për Shqipërinë. Agjencitë e ndryshme të vendeve fqinje, por dhe më gjerë, që nga Italia, Britania e Amerika i kanë kushtuar një hapësirë të konsiderueshme procesit zgjedhor në vend. Që të gjithë artikujt e mediave ndërkombëtare i kanë konsideruar këto zgjedhje si një test që duhet të kapërcejë një ndër shtetet më të varfra të Europës për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Ato citojnë faktin se Shqipëria këtë vit u pranua si anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe tashmë objektivi kryesor është integrimi në BE. Po kështu, artikujt të ndryshëm u referohen dy partive kryesore që garojnë në këto zgjedhje, Partisë Demokratike dhe liderit historik, Sali Berisha, si dhe Partisë Socialiste që drejtohet nga Edi Rama. Sipas mediave të huaja, që të dy këta lider kanë pasur si slogan të fushatës së tyre ndryshimin, por vetëm shqiptarët janë ata që do të përcaktojnë me votën e tyre të lirë se për cilin ndryshim do të votojnë. Në media shkruhet se synimi i shqiptarëve është lëvizja e lirë pa viza në vende të ndryshme të Europës, veçanërisht në shtetet fqinje ku kanë emigruar një numër i konsiderueshëm shqiptarësh në fillim të viteve ’90.
Agjencia italiane e lajmeve “ANSA”, në një shkrim kushtuar Shqipërisë, e ka cilësuar procesin zgjedhor një sfidë të rëndësishme për vendin dhe objektivin e tij për t’u integruar në BE. Ndërsa agjencia e mirënjohur “Reuters” u është referuar më së shumti parregullsive të deklaruara gjatë ditës së djeshme nga selia rozë dhe kundërshtimeve nga selia blu. Madje “Reuters” ka arritur t’i marrë një vlerësim paraprak ambasadorit të prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, mbi ecurinë e procesit zgjedhor. Bosh ka deklaruar për Reuters-in se gjatë ditës së djeshme “ka pasur disa parregullsi të vogla, të cilat janë të pakonsiderueshme krahasuar me zgjedhjet e kaluara”. Ndërsa gazeta prestigjioze “The Wall Street Journal” shkruan se Shqipëria është nën presionin ndërkombëtar dhe po bën gjithçka që ky proces zgjedhor të cilësohet sipas standardeve të BE-së nga 450 vëzhguesit e huaj të pranishëm në qytete të ndryshme të vendit. Edhe BBC-ja i konsideron zgjedhjet si një test të rëndësishëm për demokracinë.

ANSA: “Shqipëri, kryeministri Berisha, apel për të votuar”

Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në Shqipëri janë trajtuar edhe nga mediat italiane, të cilat në artikujt e tyre e kanë konsideruar këtë proces si një sfidë të rëndësishme të vendit për integrimin në Bashkimin Europian. Agjencia e lajmeve “ANSA” citoi liderët politikë dhe apelin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje, pasi vetëm kështu procesi do të quhej demokratik dhe i rregullt. Për zgjedhjet parlamentare ku do të vendoset për 140 deputetët e Parlamentit të ri, në garë janë Partia Socialiste me një krye kryebashkiakun Edi Rama dhe Partia Demokratike me në krye liderin, kryeministrin aktual, Sali Berisha, i cili bëri të ditur se deri në orën 12:30 votuan rreth 40 për qind e zgjedhësve.

Reuters: “Shqipëria voton, partitë akuzojnë njëra-tjetrën për manipulime”

Agjencia e lajmeve “Reuters”, në një shkrim kushtuar zgjedhjeve në Shqipëri, iu referua Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), sipas së cilës zgjedhjet u zhvilluan të qeta, megjithatë, ky ishte një proces i ndërlikuar. Masa u morën për të kufizuar mundësinë e abuzimit apo manipulimit të sistemit. Problemet kryesore që parashtron agjencia janë akuzat e dy partive kryesore PS-PD, të cilat kanë vazhduar edhe dje akuzat e ndërsjella për parregullsi. Robert Bosh, ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë, tha për Reuters se gjatë ditës së djeshme ka pasur disa parregullsi të vogla, të cilat janë të pakonsiderueshme krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Balkaninsight: “Shqipëria voton me sytë nga Europa”

Agjencia e lajmeve “Balkaninsight”, në faqen e saj ka publikuar një reportazh të zgjeruar lidhur me situatën zgjedhore në Shqipëri. Që në fillim të reportazhit kjo agjenci nuk harron të përmendë vizitën e ish-presidentit amerikan Xhorxh W. Bush në Shqipëri, emrin e të cilit e mban një edhe një kafene modeste në një qytezë pranë Tiranës. “Në kafenenë ‘Xhorxh W. Bush’, në qytetin e Fushë-Krujës, klientët janë mbledhur pranë televizionit dhe po ndjekin ecurinë e procesit zgjedhor”,- thuhet në këtë reportazh. Rreth 3.1 milionë shqiptarë kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare me shpresën që vendi të jetë së shpejti pjesë e Bashkimit Europian.

The Wall Street Journal: “Zgjedhjet në Shqipëri, test për në BE”

Gazeta prestigjioze “The Wall Street Journal” i konsideron zgjedhjet parlamentare në Shqipëri si një test vendimtar demokracie, për të provuar se vendi është i gatshëm të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Sipas gazetës, Shqipëria është nën presionin ndërkombëtar, të cilët përpiqen të sigurohen se zgjedhësit do të jenë të lirë të votojnë për partinë që dëshirojnë. BE-ja dhe SHBA-të kanë impenjuar Shqipërinë të ketë zgjedhje konform rregullave dhe standardeve, pasi më 1 prill të këtij viti vendi iu bashkua aleancës veriatlantike të NATO-s. Rreth 500 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 3 000 të tjerë vendorë u ngarkuan për monitorimin e procesit.

BBC: “Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ‘test’ i demokracisë”

Agjencia e lajmeve “BBC”, pasi jep një pasqyrë të procesit të zgjedhjeve në Shqipëri, sqaron se për herë të parë u zbatua sistemi zgjedhor proporcional-rajonal. Këto zgjedhje, sipas agjencisë “BBC”, konsiderohen një test i rëndësishëm për demokracinë. Gjithsej 3.1 milionë zgjedhës janë të regjistruar për votimet e 28 qershorit. Në një intervistë, Xhens Eshenbaher, zëdhënës i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), tha se në gjithë Shqipërinë u dërguan rreth 400 vëzhgues ndërkombëtarë nga OSBE-ODIHR-i, Këshilli i Europës, Parlamenti Europian, NATO-ja dhe BE-ja për të ndjekur nga afër zgjedhjet.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›