E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, një fotografi europiane

Henri Çili 

Qeveria dhe opozita shënuan dje në zgjedhjet e 28 qershorit një fitore historike: zgjedhjet e lira dhe shkëputjen përfundimtare të këtij vendi nga rrethi vicioz i zgjedhjeve të manipuluara. Edhe pse kronika e fushatës vijon, edhe pse asgjë nuk përjashtohet dot përfundimisht, sërish janë të gjitha gjasat që procesi elektoral i 28 qershorit të mbyllet në kushtet optimale.
Koha kishte ardhur në fakt që një vend si Shqipëria të fitonte një dimension tjetër nga ai i 20 vjetëve tranzicion, i cili ishte një kurs i gjatë dhe mundimshëm edukimi demokratik. Në një vend ku viktimat dhe agresorët e zgjedhjeve të lira ndërronin vendet, në një vend ku engjëllin dhe djallin nuk e ndaje dot, ka më në fund një frymëmarrje: kjo shoqëri që do të votojë e lirë mundet këtë herë të votojë e lirë. Kështu do të jetë me gjasë dhe tani e tutje.
Evoluimi i shoqërisë shqiptare, presioni pozitiv i miqve dhe partnerëve perëndimorë, përvoja e klasës politike shqiptare dhe presioni i faktorëve vendas, të pjekur dhe mësuar në këto 20 vjet të shoqërisë së lirë, arritën më në fund të sjellin një rezultat të tillë: zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Historia nuk është lineare, personaliteti politik aq më pak. E kush do ta besonte se Sali Berisha do të përgënjeshtronte të gjithë kritikët dhe skeptikët e tij ... Ai që hyri në histori si autori i parë i vjedhjes së zgjedhjeve, me zgjedhjet famëkeqe të 1996, bëhet sot instaluesi përfundimtar i një standardi të ri demokratik në këtë vend: Zgjedhjeve të lira, bëhet instaluesi i standardit më të rëndësishëm të demokracisë.
Pa opozitën e Edi Ramës një standard i tillë po ashtu nuk mund të arrihej. Opozita e këtyre katër vjetëve me luftën e saj politike kur e donte momenti dhe me kompromisin politik nga ana tjetër, kur e donte momenti, bashkë-bëri të mundur arritjen përfundimtare të zgjedhjeve të lira.
Ndaj kur mbrëmë, Sali Berisha dhe Edi Rama përshëndetën procesin dhe mbajtën fjalimet e para pas mbylljes së kutive të votimit, u fiksua një fotografi europiane në kamerat e ekraneve shqiptare. Jo thjesht një foto europiane, një qëndrim europian, një fjalim europian. Demokracia funksionon, edhe kur vonon.
Sot nuk është dita për të hyrë në analizën e rezultateve dhe sondazheve, exit-poll-eve apo projektimet e rezultatit përfundimtar. Për këtë do të kemi kohë katër vjet. Një standard i shoqërisë së lirë u arrit dhe për këtë mund të jemi krenarë si europianë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›