E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Mos festoni, prisni të mbarojë numërimi i votave

 

Ambasadori amerikan Xhon Uidhers, në një intervistë për “Top Channel” u shpreh i lumtur që procesi i votimit në Shqipëri eci shumë mirë. Diplomati amerikan bëri apel që shqiptarët të tregojnë durim me festat, deri në shpalljen e rezultatit zyrtar të numërimit të votave, përpara se të nisin festimet. “Njerëzit të tregojnë durim në këtë numërim të votave, deri në marrjen e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve”, u shpreh Uidhers. Ai shtoi se “kur të jetë numëruar edhe vota e fundit, atëherë unë shpresoj që shqiptarët të festojnë këto zgjedhje”. Ndërsa paraditen e djeshme gjatë një takimi informal me Presidentin Topi, Uidhers theksoi se “sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë”. “Njerëzit nuk duhet të shqetësohen apo të kenë frikë për votën. Nuk duhet të votojnë kolektivisht dhe familjarisht, por ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë të fshehtë dhe individuale. Të gjithë partitë duhet të arrijnë standardet dhe të zbatojnë ligjin. Besoj fuqimisht se rëndësia e këtyre zgjedhjeve është se ato do të jenë të lira dhe transparente dhe të bazuara në dëshirën e njerëzve dhe jo në aspiratat e partive politike”, tha Uidhers. Ndërsa presidenti theksoi se: “Unë besoj se këto zgjedhje do të jenë të lira dhe korrekte dhe administrimi i rezultatit do të jetë po ashtu korrekt. Njerëzit duhet të votojnë për atë që dëshirojnë, të jenë të qete, të lirë dhe të marrin pjesë në votim me qetësi”, u shpreh Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›