E Shtunë, 31 Tetor 2026

F1 Alonso triumfon ne Sepang

Fernando Alonso triumfon në mënyrë surprizë në Çmimin e Madh të Malajzisë. Në cirkuitin e Sepangut, piloti spanjoll ndoshta ka zhvilluar garën më të bukur në karrierën e tij të gjatë, ku ka regjistruar 28 fitore.
Alonso fitoi në momentin më të vështirë të Ferrarit, në një garë të zhvilluar në kushte ekstreme. Starti u shoqërua nga një përmbytje e papritur që ndërpreu garën, ndërsa më pas pilotët janë detyruar të kryejnë shumë xhiro pas makinës së sigurisë, ndërsa më pas gjithçka vazhdoi normalisht në pistën e lagur. Këto kushte të vështira i dhanë mundësi Ferrarit të rilindt, por merita kryesore i takon Alonsos, që tregoi të gjithë klasin e tij, duke regjistruar xhiro rekord njëra pas tjetrës.
Por, sikur të mos mjaftonte kjo, triumfi i spanjollit me “kokëkuqen” nuk ishte surpriza e vetme e garës në Malajzi, pasi në vendin e dytë u rendit një makinë që nuk ka fituar asnjëherë një garë në Formula 1 dhe podiumin e fundit e kishte arritur në vitin 2003 me Frencen. Bëhet fjalë për Sauber, që në duart e të papërmbajtshmit Serxho Perez ka ëndërruar edhe fitoren. Në fakt, me ritmet shumë të larta që garonte, piloti meksikan kishte shanse reale ta mbyllte garën i pari, por ai bëri një gabim të pafalshëm kur kishin mbetur vetëm pesë xhiro nga fundi.
Në vendin e tretë dhe në shkallën më të ulët të podiumit u ngjit Luis Hamilton, që u nis shumë mirë nga “pole position”, por më pas u dorëzua përballë Alonsos, fillimisht pas një gabimi të mekanikëve në bokse në xhiron e 15-të dhe më pas kur pista nisi të thahej. Në vendin e katërt u rendit skuadra kampione e botës në fuqi, Red Bull me Mark Veber, që ndiqej nga Lotusi i Kimi Raikonen dhe Uilliamsi i Bruno Senës. “Top 10” mbyllej nga Di Resta me Fors India, Vernje me Toro Roso, Hulkenberg me makinën tjetër Fors India dhe Mikael Shumaker me Mercedes.
Jashtë zonës së pikëve ka mbetur kampioni Sebastian Fetel, i 11-ti. Gara e gjermanit u kompromentua nga shkatërrimi i njërës gomë në xhirot e fundit, megjithatë ai asnjëherë nuk tregoi se mund të luftonte për fitoren. Edhe më kaq kanë shkuar gjërat për Xhenson Baton, i 13-ti me MekLaren, ndërsa Felipe Masa vazhdon të zhgënjejë me Ferrarin tjetër. Braziliani e mbylli garën i 15-ti, madje kur Alonso preu finishin rrezikoi ta linte një xhiro mbrapa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›