E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi e Ronaldo gare rekordesh

Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo janë dy yjet e padiskutueshëm të kësaj epoke në futbollin botëror. Këtë e tregon edhe fakti, se të dy këta lojtarë vazhdojnë të thyejnë rekorde njëri pas tjetrit, duke shkruar emrin e tyre me gërma të arta në historinë e sportit më popullor në botë.
Java e fundit do të mbahet ment si ajo e rekordeve të shkërmoqura nga Mesi. Pasi u shndërrua në golashënuesin më të mirë të historisë së Barcelonës, duke kaluar primatin e Sezar me 232 gola me fanellën “blaugrana”, që rezistonte prej më tepër se 50 vitesh.
Por, me rrjetën e realizuar në fitoren 2-0 me Majorkan, e 35-ta për të në këtë sezon të La Liga-s, Mesi ka vendosur një tjetër rekord. Ylli argjentinas është shndërruar në lojtarin që ka shënuar më tepër te Barça gjatë një kampionati, duke lënë pas “fenomenin” Ronaldo, me 34 gola në sezonin 1996-97. Tashmë mbetet vetëm primati i Kristiano Ronaldos me 40 gola në një sezon të La Liga-s.
Në Majorka, tre herë fituesi i “Topit të Artë” regjistroi golin e 18-të në 8 ndeshjet e fundit, duke u konfirmuar si lojtari më i mirë në botë, por më mbrapa nuk mbetet as Kristiano Ronaldo. Portugezi i Realit të Madridit ka shënuar dy gola në fitoren 5-1 të madrilenëve, duke u ngritur në kuotën e 101 rrjetave me fanellën “merengue”.
Luzitani gjithashtu ka vendosur një rekord absolut, duke u bërë lojtari që arrin më shpejt kuotën e 100 golave në kampionatin spanjoll. Rekordi i mëparshëm mbahej nga legjendari i Realit, Ferenc Pushkash, që në vitet ’60 realizoi 100 rrjeta në 105 ndeshje, ndërsa Kristiano Ronaldo ka arritur kuotën e 101 golave në vetëm 92 ndeshje në La Liga.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›