Seria A - Lacio
Me një fitore të vuajtur dhe të arritur në momentet e fundit, Lacio ia arriti ta ruante këtë pozicion duke mposhtur 1-0 Kaljarin në “Olimpiko”. Bardhekaltërit e trajnerit Reja shënuan në minutën e 88-të me anë të Diakites, njeriu nga i cili pritej më pak ky gol dhe me këtë fitore arritën në kuotën e 51 pikëve, menjëherë pas Milanit e Juventusit.
Gaboi Napoli, i cili po fitonte ndaj Katanias në “San Paolo”. Pas një pjese të parë pa gola, napolitanët shënuan dy herë radhazi me autorë golash Xhemailin në 61’ dhe Kavanin 6 minuta më pas. Por, siçilianët besuan dhe reaguan. Në 74’, Spoli ngushtoi diferencën, ndërsa 5 minuta para fundit barazimi erdhi falë golit të Lanxafames.
Ngjeshja në tabelë është e plotë me 51 pikët e Lacios, 48 të Napolit dhe 48 të Udinezes, ndërsa Roma ka mbetur në kuotën e 44 pikëve pas humbjes me Milanin. Të mos harrojmë se rëndësia e vendit të tretë është e madhe, pasi është pozicioni i fundit që dërgon një skuadër të Serisë A në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.