E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari u rikthye tek fitorja ne Superlige pas 3 ndeshjeve

Një fitore që pritej, por që ishte bërë si mirazh dhe një ngjitje ndoshta për pak kohë në vendin e katërt. Kjo për Flamurtarin që u rikthye tek fitorja në kampionatin shqiptar.

Vlonjatët triumfuan me rezultatin 2-0 në fushën e Pogradecit, duke marrë tri pikët e para pas tre ndeshjeve radhazi pa fitore, në të cilat kishin regjistruar dy barazime dhe një humbje.

Falë golave të shënuar nga Pejiç dhe Progni në minutat 15-të dhe 25-të, kuqezinjtë i dhanë vazhdimësi fitores së arritur në mesjavën që lamë pas me Vllazninë në Kupën e Shqipërisë dhe në këtë mënyrë mbenen ende në garën për vendin e tretë, edhe pse ky objektiv duket i vështirë për t’u realizuar.

Praktikisht në Pogradec nuk pati histori dhe dominimin në lojë, Flamurtari e konkretizoi shumë shpejt në gola, ndërsa më pas arriti të administronte në mënyrën më të mirë rezultatin. Me këtë fitore, vlonjatët ngjiten në kuotën e 30 pikëve dhe i rrëmbëjnë përkohësisht vendin e katërt Kastriotit.

Ndërkohë, Laçi arriti të fitojë 2-0 ndaj Tomorit, në ndeshjen e luajtur në Krujë (pasi fusha laçiane është ende e dënuar). Autor i të dy golave ishte Vilfor Hysa në pjesën e dytë, në 71’ dhe 87’.

Në javën e 18-të mbeten për t’u luajtur ndeshjet Kastrioti-Bylis, Kamza-Skënderbeut dhe Tirana-Vllaznia.

Tirana kryeson me 39 pikë, Skënderbeu ka 38, Teuta 37, Flamurtari 30 dhe Kastrioti 28 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›