E Shtunë, 31 Tetor 2026

F1, Hamilton la pas Raikonen në Japoni

Nga Altin Latifi
Ljuis Hamilton ka qenë më i shpejti në Cmimin e Madh të Japonisë, duke arritur të zërë vendin e parë në nisje. Piloti britanik ka rritur akoma më shumë shanset për fitimin e titullit kampion, duke qenë se Felipe Masa u rendit vetëm i pesti. Kur duhen dhe 3 gara, Hamilton kryeson me 7 pikë përpara brazilianit. 

JAPONI- Ljuis Hamilton rriti akoma më shumë shanset për titullin kampion, teksa arriti të zërë vendin e parë në provat zyrtare për Çmimin e Madh të Japonisë. Piloti britanik i MekLaren arriti të lërë pas të gjithë rivalët e tij e sidomos kundërshtarin direkt Felipe Masa, që nuk shkoi më shumë se një vend i pestë. Hamilton ndodhet 7 pikë përpara brazilianit në renditjen e kampionatit botëror, kur duhen edhe tre gara deri në përfundim. Për Hamilton ishte poli i 6-të për këtë sezon dhe i 12-ti në karrierën e tij. Ndërkohë, për Ferrarin duket e pamundur të përsërisë historinë e sezonit të shkuar, duke qenë se skuderia kokëkuqe po tregon pasiguri nga gara në garë. I dyti në cirkuitin e Fuxhit do të niset Kimi Raikonen, që më në fund ka dhënë shenja se është pilot i një skuderie të rëndësishme. Menjëherë pas tij do të jetë piloti i dytë i MekLaren Heiki Kovalainen, ndërsa i katërti do të niset Fernando Alonso. Që tani, Botërori i këtij viti duket i destinuar të thyejë dy tabu. Nëse në fund do të fitojë Hamilton, ai do të bëhet kampioni më i ri në historinë e Formula 1, vetëm në moshën 23 vjeçare. Nëse titulli i shkon Masës, ai do të bëhet braziliani i parë që shpallet kampion bote që prej Airton Senës në vitin 1991. Në Japoni një provë të mirë kanë treguar edhe polaku Robert Kubica e italiani Jarno Truli, që do të nisen në vendin e gjashtë dhe të shtatë. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›