E Diel, 1 Nëntor 2026

Suedi-Portugali, portugezët kërkojnë fitoren

Nga Altin Latifi
Portugalia kërkon të lërë pas humbjen me Danimarkën, kur të përballet sot në mbrëmje me Suedinë në Stokholm. Të dyja skuadrat kanë shumë mungesa në këtë ndeshje. Kristiano Ronaldo deklaroi pas stërvitjes së fundit, se Portugalia do të arrijë të fitojë, pasi është një ekip më i mirë se Suedia. 

STOKHOLM - Skuadra portugeze zhvilloi stërvitjen e fundit në Stokholm, në prag të sfidës më të rëndësishme të grupit 1 kundër Suedisë. Ekipi i drejtuar nga Karlos Keiroz shkon në tokën skandinave pas një humbje turpëruese 3-2 me Danimarkën më 10 shtator, që e ka lënë në vend të katërt me vetëm 3 pikë. Ndeshja do të jetë edhe një duel direkt mes Kristiano Ronaldos dhe Zllatan Ibrahimoviç për Topin e Artë, ndonëse ky trofe duket i destinuar tashmë për portugezin. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, mesfushori i Mançester Junajtid tha se Suedia është një ekip i mirë, por Portugalia në fund do të arrijë të fitojë. “Sigurisht që suedezët janë një skuadër e madhe, me lojtarë të shkëlqyer dhe nuk kanë vetëm njërin. Mendoj se të gjithë lojtarët e tyre janë të mirë, luajnë mirë dhe sidomos në transfertë janë gjithnjë të rrezikshëm. Suedia ka Ibrahimoviç, që të gjithë e njohim, por përreth tij do të jenë edhe 10 futbollistë të tjerë. Por, unë mendoj se ne jemi skuadër më e mirë dhe do të fitojmë”, deklaroi portugezi. Trajnerit Keiroz do t’i duhet të bëjë edhe pa mesfushorën Deko dhe Manike të dëmtuar, përveç Rikardo Karvajos dhe sulmuesit Simao që nuk u thirrën fare. “Po, kemi disa dëmtime, por siç e kam thënë, kjo është një sfidë për ne, është një test maturie dhe shoh që lojtarët kanë shumë dëshirë. Futbollistët e mi janë gati dhe kemi shumë besim tek vetja. Kam shumë lojtarë për të zëvendësuar dëmtimet, kështu që nuk besoj se do të jetë problem”, tha Keiroz. Situata nuk është më e mirë edhe në kampin e Suedisë, që ka 7 mungesa për arsye dëmtimesh në takimin e sotëm. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›