Meta takon homologun italian, Fratini
Gjatë Ministerialit të Nismës së Europës Qendrore (NEQ), që u mbajt dje në Bukuresht, zv.kryeministri Ilir Meta u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, z. Franko Fratini. Ky i fundit vlerësoi progresin e arritur prej Shqipërisë në përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave dhe rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për reformat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në kuadër të integrimit të saj europian. Ministri Fratini i shprehu zv.kryeministrit Meta vullnetin e qeverisë italiane për ta parë Ballkanin Perëndimor si pjesë të Bashkimit Europian sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shprehu bindjen se vendimi për lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë në hapësirën Shengen të Bashkimit Europian do të merret shumë shpejt gjatë vitit që vjen. Meta e siguroi ministrin Fratini për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha kërkesat për liberalizimin e vizave dhe i shprehu atij mirënjohjen e thellë për mbështetjen e fuqishme.