E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real Madrid, më 20 janar në Tiranë

Real Madrid do të përfitojë 2.5 milionë euro, pasi do ta zhvillojë një ndeshje miqësore me 20 janar në Tiranë kundër ekipit Gramozi nga Erseka, që është pronë e petrolierit Rezart Taçi dhe që garon në elitën e futbollit shqiptar.

“Është firmosur kontrata dhe çdo gjë është gati për ndeshjen e 20 janarit”, ka komentuar për të përditshmen spanjolle Marca, Milton Nushi, zëdhënës i kompanisë Taçi Oil International.

Marca po ashtu ka njoftuar se në kontingjentin madrilen nuk do të ketë mungesa dhe se ekipi do të jetë komplet në Tiranë, përfshirë këtu edhe presidentin Florentino Perez.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në kuadër të trofeut “Taçi Oil Cup”, në stadiumin kombëtar Qemal Stafa, në Tiranë.

Vitin e kaluar, petrolieri Rezart Taçi kishte arritur ta ftonte gjigantin italian, Milan, për ta zhvilluar një ndeshje miqësore me Kombëtaren shqiptare, ku Rossonerët patën fituar falë ekzekutimit të penalltive me rezultat 5:4, derisa ndeshja në kohën e rregull pati përfunduar baras, 3:3.

Në fakt, ndeshja me Real Madrid ishte planifikuar për t’u luajtur gjatë Krishtlindjeve, në dhjetorin e vitit të kaluar, por angazhimet e Realit e bënë të pamundur ardhjen në Tiranë.

Skuadra e Realit të Madridit do të mbërrijë në Tiranë rreth orës 10 të paradites së 20 janarit, ndërkohë që besohet se do të pritet me entuziazëm në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Gramozi do të përforcohet edhe me lojtarë nga kampionati shqiptar, kryesisht nga Tirana e Besa.

Gjithsesi, media spanjolle nuk lë pa përmendur edhe faktin se milioneri i ri shqiptar 38-vjeçar, i pasionuar pas futbollit italian, befasoi botën sportive vitin e kaluar teksa tentoi të blinte ekipet e Bolognas e Milanit, këtë të fundit në shumën e 700 milionë eurove, por dhe faktin e agresionit ndaj gazetarit Mero Baze, 15 ditët e tij në dhomën e paraburgimit dhe shumën e paguar prej 100 mijë eurosh për lirimin me kusht.

Pas klubit italian të Milanit, që erdhi dy herë në Tiranë, tetor 2008 (humbi me Tiranën, 2-1) dhe maj 2009 (fitoi me penallti pas barazimit 3-3 me Kombëtaren), Reali është klubi i dytë më i madh në botë që vjen në Shqipëri. Kështu, në Tiranë do të vijnë yje si Kaka (erdhi edhe me Milanin), Cristiano Ronaldo, Raul Gonzalez, Iker Casillas etj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›