FDE, debat për mendjen shqiptare
Ditën e sotme, Forumi për Demokraci dhe Etikë do të prezantojë “Brain Stand” përballë pedagogëve dhe studentëve në Universitetin Europian të Tiranës. FDE-ja do të ketë në panelin e debatit njerëz të shquar të arsimit, profesorë dhe akademikë. Diskutimet do të jenë të lira dhe pjesëmarrja gjithashtu e lirë. “Brain Stand” - “Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar”, kërkon të diskutohet dhe të arrihet në ndërmarrjen e veprimeve konkrete rreth mundësisë për inkorporim, debatim, korrektim, përmirësim, të të gjitha politikave të ndërmarra deri më tash, në mënyrë që “mendja” të mos lihet në dorë vetëm të projekteve me afate të përcaktuara, por të ketë një shestim të qartë të rrugës së karrierës të të gjithëve, duke filluar nga studentët nëpër auditorë, deri tek studiuesit në fushat e tyre përkatëse.
Zhvillohen zgjedhjet në PD-në e Fierit
Rreth 480 delegatët e Partisë Demokratike në Fier kanë zgjedhur kryetarin e tyre. Në punimet e këtij kuvendi morën pjesë edhe ministrat Sokol Olldashi dhe Enkelejd Alibeaj. Ata vlerësuan procesin për rritjen e strukturave brenda PD-së. Në këtë degë konkurruan dy kandidatë, kreu aktual i PD-së së Fierit, Ferdinand Murati dhe Koçi Papuçiu. Emrat e përzgjedhur për kreun e PD-së Fier, Ferdinand Murati dhe Koçi Papuçiu, kanë shpalosur platformat e tyre për fuqizimin e mëtejshëm gjatë viteve të ardhshme në degën e PD-së Fier. Në fund të votimit, delegatët zgjodhën me shumicë votash Ferdinand Muratin.