Taksat, Berisha: Të ulen për biznesin e vogël
Në kushtet kur në mjaft vende të prekura nga kriza ekonomike janë ulur taksat për biznesin, në Shqipëri mjaft bashki dhe komuna kanë rritur taksën e biznesit të vogël. Qeveria “Berisha” uli me dyfish këtë taksë që kur erdhi në pushtet, duke inkurajuar biznesin e vogël, por një pjesë e kryetarëve të pushtetit lokal nuk kanë qenë dakord me filozofinë e qeverisë. Ligji për taksat vendore u lejon bashkive dhe komunave të ulin ose të rrisin deri në 30 për qind këtë taksë, nga niveli që ka përcaktuar Këshilli i Ministrave. Mjaft prej kryetarëve lokalë nuk ka përtuar për të rënduar taksat.
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje bashkive dhe komunave të ulin taksat, ndryshe, ekzekutivi do të veprojë. Ai paralajmëroi pushtetin lokal që t’i përgjigjet uniform masave për ulje taksash, në mënyrë që të nxisë bizneset e vogla dhe punësimin. Kryeministri urdhëroi ministrin e Financave që brenda dy javësh të paraqesë një plan ndërhyrjeje për t’i dhënë fund praktikës së kryetarëve që rrisin taksat. “Të rrisësh taksat për biznesin e vogël në këtë periudhë, është një masë jashtëzakonisht e dëmshme për ta, për punësimin dhe vjen në një kundërthënie të hapur me përpjekjet e qeverisë për të amortizuar pasojat e krizës, për të mos thënë se vjen në një kundërthënie të hapur me filozofinë tonë të taksave të ulëta. Unë u bëj thirrje qeverive vendore që ta rishikojnë edhe vetë këtë problematikë, por njëkohësisht i siguroj se ne do të ndërhyjmë në favor të biznesit të vogël, sepse është bërë e domosdoshme”, - u shpreh Berisha. Ai tha se mjaft prej njësive vendore kanë preferuar të rrisin buxhetet e tyre, në vend që të nxisin qytetarët të investojnë dhe kjo është manifestuar edhe në taksa të tjera, si rritja e taksës së gjelbërimit, pastrimit etj. Kreu i qeverisë tha se rritja e taksave është e rrezikshme për biznesin e vogël. “Është detyrë e të gjithë zyrtarëve dhe qeveritarëve të të gjitha niveleve, që të marrin masa për të amortizuar pasojat e krizës në vend. Pra, rritja e taksave mbi biznesin e vogël është realisht e rrezikshme. Ata aq e kanë kapacitetin dhe nuk duhet t’u shtohen taksat në asnjë mënyrë”, - tha Berisha. Ai më pas u bëri thirrje bizneseve të vogla se “kjo qeveri ka 4-fishuar grantin, çka do të thotë se qeveritë vendore për asnjë arsye nuk kanë për të qenë abuzive me barrën fiskale ndaj biznesit të vogël”. Duke qëndruar tek kriza botërore, Berisha u tha vendorëve se ulja e taksave kombëtare që ka bërë Shqipëria, ka dhënë impakte tepër pozitive për t’i shpëtuar krizës. Sipas tij, mjaft vende të prekura nga kriza po ndërmarrin të njëjtat masa që ka marrë kjo qeveri. “Më shumë se 1/3 e vendeve, mes tyre edhe vende anëtare të Bashkimit Evropian, po vendosin uljen e pagave deri në masën 10%. Të tilla janë vendet baltike, Irlanda dhe shumë vende të tjera, sepse parashikimet buxhetore për shkak të krizës së recesionit nuk realizohen. Ndërsa ne do të rrisim pagat dhe do të bëjmë rritjen më të madhe që kemi bërë ndonjëherë”, - deklaroi Berisha.