Zogaj: Mbështetje qeverisë për kohën e aplikimit në BE
Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë, Preç Zogaj, përgënjeshtroi dje shkrimet në disa media të shkruara për sa u përket reagimeve të tij në lidhje me diskutimet për kohën e paraqitjes se kërkesës nga qeveria shqiptare për statusin e vendit kandidat në BE. “Është e trishtueshme dhe e papranueshme që për një çështje kaq të rëndësishme dhe ndërpartiake, siç është ajo e aplikimit për statusin disa media të opozitës apo afër saj të përdorin teknikën e veçimit, montimit dhe interpretimit subjektiv të shprehjeve për të fabrikuar pozicione politike dhe “kundërvënie” që nuk përkojnë me të vërtetën”, tha Zogaj. Ai tha më tej se mediat keqinterpretuan deklaratat e tij. “Rezoluta konsensuale e Kuvendit të Shqipërisë, përgatitur në Komisionin e Jashtëm në muajin janar të këtij viti, nxit dhe inkurajon qeverinë të ndërmarrë aktin e aplikimit duke ia lënë asaj në dorë përcaktimin e datës, në konsultim me partnerët tanë evropianë. “Kryetari i Komisionit të Jashtëm, që ka bashkautorësinë e rezolutës në fjalë, nuk mund të ketë një qëndrim tjetër dhe nuk mendon se qeveria duhet të presë”, - deklaroi Zogaj, duke shtuar se Shqipëria ka përmbushur standardet e aplikimit për në BE.