E Diel, 1 Nëntor 2026

FEJA DHE BOTA E SOTME

26/01/2005  

Feja është një mbështetje e fuqishme për paqen, tolerancën dhe solidaritetin. Duke e manipuluar, a mund ta përdorin atë edhe për të nxitur dasitë shoqërore, konfliktin etnik dhe dhunën?

- Ndryshimet themelore midis fesë dhe politikës.

- Kritikat me ngjyresa fetare ndaj rendit të sotëm botëror.

Midis dhunës dhe paqes

Problemi i marrëdhënieve midis fesë dhe rendit të sotëm botëror është në qendër të debateve me natyrë kulturore dhe politike, që zhvillohen kudo në botë në ditët tona. Në fakt, këto debate nuk janë shpeshtuar rastësisht sot.

Gjendja është bërë tejet me dy kuptime dhe e ngatërruar.

Mjaft lëvizje politike dhe aksione, që janë mbështetur në mjete të dhunshme, nuk kanë munguar të marrin ngjyresa fetare.

Mbrapa konflikteve tejet të mprehta midis grupeve të caktuara shoqërore, që ndeshen me njëri-tjetrin, vërehen edhe dasi të forta fetare. Trajtimi i tjetrit si një qenie inferiore për shkak të faktit se i përket një feje tjetër, pra lloj-lloj fanatizmash dhe paragjykimesh mbi të huajin, janë bërë mjaft të përhapura, sidomos në ato shoqëri, ku konflikti politik ka marrë ngjyresa fetare. Aq me tepër, ka teori që qarkullojnë në ditët e sotme, të cilat rrahin të shpjegojnë se konfliktet e ardhshme në plan global apo lokal, që do të përcaktojnë rendin e ardhshëm botëror, do ta kenë zanafillën te ndarja midis civilizimeve të mbështetur në fetë e sotme monoteiste.

Nga ana tjetër, media botërore na njofton për dhjetëra aksione humanitare të mbështetura në vlerat morale fetare.

Ndihmesa ndaj më të varfërve, asistenca dhënë individëve me status shoqëror të dobët, mbështetja morale dhe materiale e qendrave spitalore, ngritja e zërit nga ana e përfaqësuesve të feve monoteiste të botës së sotme për paqe, për solidaritet, për një botë më humane që nuk i zbeh vlerat njerëzore për hir të rendimentit të punës dhe ritmeve të përqëndrimit të kapitaleve etj., na paraqesin një pamje krejt tjetër, duke treguar ato mundësi dhe cilësi të mëdha të fesë për një botë më solidare dhe të aftë të ruajë statukuonë e saj me mjete paqësore, dialogu dhe tolerance.

Nisur prej këtyre dy konstatimeve kontradiktore, nuk ka se si që problemi i marrëdhënieve midis fesë dhe rendit të sotëm botëror të mos çojë në dy pyetje :

A është feja një vlerë shoqërore që i thotë kurdoherë ndal dhunës, konflikteve, terrorizmit, eliminimit të dhunshëm të jetës së mijëra njerëzve nëpërmjet mjeteve të armatosura?

Apo feja mund të bëhet edhe një instrument që përdoret edhe për të justifikuar aksionet e dhunshme terroriste, goditjen e kundërshtarëve, për të ndarë kufijtë e zonave të influencës dhe të civilizimeve botërore?

Feja dhe politika

Për të shqyrtuar çështjen se sa «luftarake» apo «paqësore» është feja, shpesh, në mendimin sociologjik dhe filozofik klasik dhe bashkëkohor perëndimor nisen nga një parim metodologjik i përcaktuar qartë.

Kërkohet të dihet së cilat janë marrëdhëniet midis fesë dhe politikës, midis fesë dhe shtetit.

Ky parim zbatohet gjerësisht, sepse pothuajse të gjithë janë të një mendjeje lidhur me atë se shteti është një instrument i mbështetur në radhë të parë mbi fuqinë, mundësinë dhe potencialin për të ushtruar dhunë. Afërmendsh, një politikë e caktuar mund të realizohet me mjete dhune, sikurse mund të mbështetet në metoda paqësore, dialogu dhe tolerance. Por në çdo rast, cilado politikë që kërkon të kontrollojë shtetit synon të kontrollojë një «agjenci» që ka si mjet specifik veprimi dhunën legale dhe mjetet ligjore të dhunshme.

Sociologu gjerman Max Weber, një nga shtyllat e mendimit sociologjik modern, duke arsyetuar rreth marrëdhënieve midis fesë dhe shtetit, ndër të tjera ka shpjeguar se teorikisht, pra nga pikëpamja e thelbit të tyre, vlerat fetare dhe politika kanë shumë gjera të kundërta që i bëjnë të papajtueshme me njëra-tjetrën. Feja dhe politika, për rrjedhojë, i përkasin, sipas Weberit, dy botëve të ndryshme që nuk mund të përzjehen me njëra-tjetrën, veçse duke humbur secila kuptimin e saj specifik.

Për pasojë, feja mund të marrë përmasat e politikës, por atëherë nuk është më fe.

Edhe politika, mund të «strehohet» te ndërtesa e kultit, por atëherë nuk është më politikë.

Cilat janë dallimet që sheh Maks Weberi midis këtyre dy formave të veprimtarisë njerëzore?

Së pari, feja e dënon gënjeshtrën, duke predikuar se sinqeriteti, vërtetësia, çiltërsia në marrëdhëniet me tjetrin janë nga vlerat e amëshuara më thelbësore, që na bëjnë të jetojmë në përputhje me vullnetin hyjnor. Ndërkaq, në politikë shpesh herë sinqeriteti, thënia e së vërtetës, çiltërsia me kundërshtarin politik, në rastin ekstrem me armikun, konsiderohet si një gabim i rendë që çon drejt dështimit çdo aksion politik praktik.

Së dyti, feja, Maks Weberi përmend në këtë rast si shembull fenë e krishterë, së cilës i përkiste shoqëria në të cilën jetonte, predikon paqen, moskundërshtimin e dhunës, me një fjalë predikon parimin se «kur të qëllojnë në një faqe, kthe faqen tjetër». Ndërsa politika shtetërore ka në parim aftësinë për t’u sjellë ndaj kundërshtarit me mjete adekuate, pra duke mos munguar t’i përgjigjet edhe dhunës me dhunë.

Së treti, feja predikon vlera morale dhe mësime hyjnore me natyrë universale, të pandryshueshme, të amshuar, ndërsa politika është e lëvizshme dhe e përcaktuar në mënyrë tepër koniunktururale.

Duket se asnjë lidhje nuk mund të këtë midis fesë dhe instrumenteve të ushtrimit të dhunës, veçanërisht shtetit. Por situata është shumë më e ndërlikuar sesa kaq. Për këtë është i ndergjegjshëm si Maks Weberi ashtu edhe autorë të tjerë shumë të rëndësishëm në mendimin perëndimor.

Duke qenë në parim të kundërta të papajtueshme, feja dhe politika kanë nevojë jetike për njëra-tjetrën.

Filozofi i sotëm gjerman Jürgen Habermas ka shpjeguar gjerësisht se norma juridike ka gjithmonë nevojë të mbështetet te një moral i caktuar, i pranuar përgjithësisht nga shoqëria. Norma juridike dhe politika e shtetit kanë nevojë pra që të legjitimohen moralisht. Mirëpo, për një periudhë të gjatë kohe të historisë së njerëzimit, morali nuk ka qenë tjetër veçse një tërësi rekomandimesh, normash etike dhe vlerash morale të mbështetura në fe. Në këtë mënyrë politika dhe feja për një periudhë të gjatë kohë kanë qenë të vendosura mbi njëra- tjetrën. Nga kjo pikëpamje, ne mund të flasim në histori për «shtete teologjike», sidomos përgjatë kohës së Mesjetës, të mbështetura në të «drejtën hyjnore», shtete përgjithësisht autoritare, perandori, mbretëri absolute e të tjera forma të organizimit politik të shoqërisë. Kjo mbivendosje e politikës mbi fenë nuk ka karakterizuar vetëm një lloj feje, një lloj zone gjeografike, apo një lloj qytetërimi.

Përkundrazi, përgjatë historisë, një përvojë sundimi mbi shtetin kanë pasur fe të ndryshme sikurse do të ishin, judaizmi, kristianizmi, myslimanizmi, konfucianizmi etj. Kjo dukuri historike është konstatuar në kohë të ndryshme si në Perëndim ashtu edhe në Lindje. Ajo zë vend në historinë e popujve latinë, te popujt sllavo–ortodoksë, në popujt arabo-orientalë, aziatikë etj.

Nga kjo pikëpamje, të gjitha fetë kanë njohur një përvojë ndërthurjeje sistemike me politikën dhe shtetin, ç’ka dhënë si rezultat forma autoritare ose despotike të organizimit politik të shoqërisë. Nga kjo pikëpamje është e sforcuar dhe joreale përpjekja që bëhet për të ndërtuar një hierarki midis feve monoteiste, që veç faktit që është e dëmshme praktikisht, duke ngjallur mërira dhe debate të kotë, nuk qendron as në planin historik.

Sikurse ka theksuar Jürgen Habermas, të gjitha shoqëritë dhe kulturat e kanë kaluar herët apo vonë atë që ai e quan faza e «legjitimit konvencional etik të ligjit». Ka shoqëri që s’e kanë kaluar ende këtë stad.

Filozofi francez i shekullit të XIX, Alexis de Tocqueville, ka treguar se revolucionet e shekullit të tetëmbëdhjetë në Perëndim ndanë gradualisht në shoqëritë perëndimore besimin fetar nga politika, duke krijuar shtete që pak nga pak ecën në rrugën e modelit të shtetit laik. Duke u ndarë nga shteti, feja, në këtë rast feja krishterë, nisi t’i largohet pak nga pak çdo lloj implikimi me dhunën shtetërore dhe të marrë një funksion gjithnjë e më të pastër etik. Pozicioni i ri i fesë katolike pas revolucionit francez dhe ndryshimeve të mëdha në Perëndim ndikuan fuqishëm që kjo fe të riformulojë shumë e shumë parime dhe qendrime që kishin qenë tabu të paluejtëshme dhe të mbrojtura edhe me dhunë në kohët e mëparshme. Për shembull vetëm aty nga shekulli i 19-të, besimtarët e devotshëm katolikë lejoheshin të jepnin pare me interes.

Nga ana tjetër, duke qenë fe e shoqërive perëndimore që, gjithsesi, e kanë kontrolluar në vazhdimësi rendin ekonomik dhe politik botëror, ka qenë me e lehtë për kishat perëndimore që të lidhen përgjithësisht më ngushtë me predikimin fetar të vlerave të paqes, të dialogut, të tolerancës, të heqjes dorë nga dhuna etj. Ky lloj predikimi jo vetëm që përkon me vlera thelbbësore të mesazhit të krishterë, por është edhe në përputhje me interesin e elitave politike dhe ekonomike dhe të masave të gjera të popullsisë së vendeve perëndimore, të cilat, duke qenë në pozita sunduese në rrafshin ndërkombëtar, janë të prirura ta paqëtojnë, ekuilibrojnë dhe ruajnë status quo-n e rendit të sotëm botëror.

E kanë më vështirë për ta bërë këtë ato institucione fetare që iu përkasin feve të popujve që kanë nivele më të ulët zhvillimi material dhe teknik dhe që jetojnë në vende, të cilat përbëjnë pjesën më të varfër të globit tonë dhe që shpesh shtrihen në zona të Lindjes së Mesme, të Azisë dhe të Afrikës. Instituticone fetare, lëvizje të ndryshme politike, që shpesh marrin një veshje ideologjike fetare dhe bestytni popullore shumë të përhapura, e kanë më të vështirë në këto vende të artikulojnë një mesazh fetar ekskluzivisht paqësor, të kundërshtojnë me efikasitet çdo forme dhune dhe të pranojnë vetëm bashkëjetesën dhe dialogun si format e vetme të zgjidhjes të problemeve të sotme shoqërore. Popujt që i bartin kanë rivendikime të forta për sa i përket përmirësimit të pozicionit të tyre në sistemin politik dhe ekonomik botëror. Për rrjedhojë, institucionet, kleri dhe besimtarët e këtyre feve të fundit manifestojnë në një lloj mënyre edhe një natyrë «më luftarake».

Megjithatë, mendimi i përgjithshëm është se asnjë nga fetë e mëdha monoteiste nuk ka mundur gjatë historisë së saj shumëshekullore të shmangë krejtësisht justifikimin e përdorimit të dhunës në shoqëri në emër të një «çështjeje të drejtë».

Por «e drejta» është shumë relative.

Studiuesit më në zë të fenomenit fetar, kanë rënë në përfundimin se në fetë e sotme monoteiste ka së paku dy shtresa. Shtresa e parë, disi e vjetër, «primitive», sikurse e quajnë sociologët më në zë të fesë, përcakton qëndrimin themelor të fesë në favor të paqes, bashkëpunimit, dialogut, tolerancës, dashurisë për tjetrin etj. Ndërkohë, që shtresa e dytë, më e vonëshme, megjithëse e gjen burimin në dogmat fillestare, është përforcuar dhe riinterpretuar në mënyrë më luftarake për shkak të rrethanave historike, në të cilat është shprehur dhe ka vepruar besimi fetar.

Shndërimi i krishtërimit në ideologji zyrtare të perandorisë romake e bëri që ai të përforcojë disa tipare që do ta kthenin atë për një kohë të gjatë në një besim fetar « luftarak » e të dhunëshëm. Më pas ai i ruajti këto përmasa sidomos në kohën e kryqëzatave, të inkuizicionit, të konvertimeve të dhunëshme masive dhe të evangjelizimit të indigjenëve nëpër vendet e kolonizuara apo në raste të tjera. E njejta gjë i ndodhi edhe ortodoksisë sidomos kur ajo u transformua në ideologji zyrtare të Perandorisë Bizantine. Ndërkohë, kalimi i predikimit fetar mysliman nga « faza e Mekës » në « fazën e Medinës », bëri që në fenë myslimane të integrohen gjithashtu referenca të cilat nënkuptojnë edhe mundësinë e zbatimit të metodave të dhunëshme për mbërritjen e objektivave të çështjeve që konsiderohen si « të drejta ». Adaptimi i fesë islame si ideologji zyrtare e Perandorisë osmane natyrisht që i dha asaj një profil luftarak nga ana e shtetit dhe institucioneve fetare perandorake.

Gjithësesi, diçka shumë e rendësishme është për t’u vënë në dukje. Asnjë nga librat e shenjtë të feve të ndryshme nuk ka përpunuar dhe predikuar një formë konkrete të organizimit politik të shoqërisë. Përfytyrimet mbi format konkrete të organizimit politik të shoqërisë janë interpretime të bashkëngjitura më vonë predikimeve bazë fetare. Kjo është e vërtetë për krishtërimin, por është po aq e vërtetë edhe për myslimanizmin. Në emër të parimeve fetare të krishtera, të interpretuara në një fare mënyre, janë ndërtuar forma nga më të ndryshme shtetërore : perandori, monarki absolute, shtete demokratike, demokraci të zhvilluara, por edhe diktatura moderne që nuk kanë vetëm dy ose tre dhjetëvjeçarë që kanë dalë nga skena e historisë si përshembull ato që kanë ekzistuar në Ameriken Latinë.

Studjuesi i sotëm Falih Mahdi na tregon me qartësi se edhe në Kuran nuk mund të gjenden arsyetime që legjitimojnë një formë konkrete e të përcaktuar të organizimit politik të shoqërisë. Nga kjo pikëpamje nuk mund të thuhet aspak se në shoqëritë me popullsi kryesisht të besimit mysliman, vetë besimi i qytetarëve legjitimon medoemos forma diktatoriale politike. Vende të ndryshme me popullsi me tradita fetare myslimane janë sot të pajisur me forma të shumëllojshme organizimi politik : shtet laik, demokraci liberale, shtet autoritar, deri edhe në forma që quhen « shtet islamik » siç do të ishte rasti ekstrem i Afganistanit deri pak kohë me parë etj.

Përafrime kritike të botës së sotme

Shpesh herë ka ndodhur realisht ai që në sociologji quhet fenomen fetar deviant.

Në kushte krize sociale dhe politike, predikimet fetare të një pjesë të klerit militant dhe programet politike me ngjyresa fetare të lëvizjeve të ndryshme shoqërore mund të marrin ngjyresa të forta kritike ndaj rendit të sotëm botëror duke justifikuar edhe forma të ndryshme dhune.

Në pjesën më të madhe, kjo lloj feje « luftarake » predikohet prej rangjeve të ulta të klerit si edhe prej liderëve politikë të lëvizjeve shoqërore me frymëzim ideologjik fetar.

Kalimi i predikimit fetar nga rrafsh paqësor tek ai « kritik » mund të karakterizojë të gjitha fetë e mëdha monoteiste të botës së sotme, veçanërisht ato të rajonit tonë dhe më gjerë.

Format e katolicizmit kritik pohojnë thuajse gjithmonë vlerat e pazëvendësueshme të rendit politik demokratik, të lirisë së iniciativës private dhe të hapjes liberale të tregut të sotëm të përbotshëm. Sipas predikimeve katolike, rezistenca e besimtarëve ndaj fenomeve negative të botës së sotme duhet të kanalizohet nëpërmjet shprehjes së vullnetit të tyre të lirë nga ana e mekanizmave elektorale. Ndërkaq, besohet se bota e sotme është duke rendur në mënyrë të ethshme drejt fitimit material dhe financiar, çka po shkatërron vlerat morale të njerëzve. Varfëria, sëmundjet, padituria, luftërat në zonat më të prapambetura të Globit gërryejnë në mënyrë të rrezikshme themelet e rendit të sotëm botëror dhe mund ta çojnë botën në një rrugë pa krye. Rritja e shpeshtësisë marramendëse të dukurive siç janë divorcet, përdorimi i drogës, vetëvrasjet, planifikimi familjar, abortet etj. tregojnë se pavarësisht progresit material të botës së sotme, njerëzimi ndodhet përpara problemeve të mëdha, të cilat nuk mund të zgjidhen pa bërë modifikimë të pjesëshme, por të rendësishme, të rendit të sotëm botëror.

Ndërkohë, përfaqësues të ndryshëm shpirtërorë të ortodoksisë, të lidhur me lëvizjet nacionaliste pansllave, janë shpesh herë shumë më kritikë ndaj rendit të sotëm botëror. Ka prej tyre që konsiderojnë se modeli politik demokratik nuk përputhet me traditat e popujve sllavë. Lëvizjet çlirimtare të kombeve dhe të etnive me përkatësi fetare myslimane brenda shteteve shumëkombëshe, ku sundojnë kombet sllave, etiketohen si lëvizje thjesht islamiste e integriste, të frymëzuara nga urrejtja kundër qytetërimit euro-rus dhe sllavo-rus. Aleancat midis disa popujve me tradita fetare myslimane dhe protestantëve të Amerikës së Veriut, sipas tyre, kanë për qëllim të izolojnë sllavo-ortodoksinë dhe katolikët e Perëndimit të Evropës. Liberalizmi i tregjeve të sotme ndërkombëtare ka sjellë si pasojë që thesaret e pafundme të botës sllave të bëhen burime pasurimi për «të huajin», që është bërë «zot» i tyre. Popujt sllavo-rusë quhen si të goditur në dinjitetin dhe sovranitetin e tyre nacional, duke humbur përkohësisht krejt influencën e tyre mbi fatet e botës. Armatimi i tyre, forcimi i fuqisë së tyre goditëse dhe një politikë gjeostrategjike agresive do të bënin, sikurse thuhet, që rendi i sotëm të ekuilibrohej dhe të shkonte drejt një shpërndarjeje më të ekuilibruar të pasurive botërore.

Ideologë të lëvizjeve integriste që kanë përfytyrime radikale të fesë islame konsiderojnë se rregullimi demokratik i jetës politikë është një shpikje e popujve të krishterë dhe nuk ka asnjë lidhje me traditat e popujve arabo-myslimane. Bota e sotme mbështetet mbi një sërë pabarazish, të cilat janë të papranueshme prej fesë myslimane. Popujt arabë, sidomos ai palestinez, thuhet, janë viktima të agresionit, prandaj përgjigjja me dhunë kundër agresionit të pësuar, është në përputhje me moralin fetar. Përgjegjës për këtë gjendje quhet i tërë qytetërimi perëndimor, qytetarët, të cilët, sipas integristëve, mbajnë përgjegjësi sepse me votën e tyre kanë aprovuar politikat shtetërore antimyslimane. Rendi i sotëm botëror është një mekanizëm i mbështetur nga mekanizmat e huasë, të cilët janë të dënuara nga feja myslimane. Ai nuk mund të përmirësohet sepse këtë nuk e lejojnë elitat judeo-krishtera të botës së sotme.

Ka qarqe nacionaliste sioniste që zhvillojnë edhe ato forma radikale të judaizmit. Sipas tyre, populli izraelit dhe diaspora çifute kudo në botë përbëjnë një të tërë dhe kanë një mision të përbashkët. Çifutët nuk janë një popull i formuar prej kushteve objektive të shoqërisë, por përbëjnë thjesht një komunitet fetar. Ata janë një popull «i zgjedhur» prej vullnetit hyjnor. Veçanësitë e tyre fetare dhe kulturore e bëjnë të pamundur bashkëjetesën e tyre me pjesë të tjera popullsie, që nuk kanë të njëjtën fe me ta. Shteti izraelit duhet të jetë një shtet që të ketë judaizmin si fe zyrtare dhe t’i përmbahet moralit fetar. Izraeli duhet të jetë një shtet etnikisht i pastër, duke përzënë prej territorit të tij të gjithë qytetarët arabë. Armatosja dhe zhvillimi i fuqisë ushtarake të shtetit janë faktorë të domosdoshëm për t’i dhënë fund holokaustit antisemit që ka kërcënuar në vazhdimësi popullin çifut dhe që ushtrohet sot prej popujve dhe shteteve arabe.

*******************************

Cila do të ishte pra përgjigjja për dy pyetjet që u shtruan në fillim?

Më së pari, do të thosha se feja është përdorur edhe për të vendosur paqen, mirëkuptimin dhe tolerancën midis popujve, ashtu edhe për të legjitimuar akte apo veprime të drejta apo të padrejta dhune.

E gjitha kjo nuk ndodh rastësisht, por për arsye se në arkeologjinë e parashtrimeve fetare të botës dhe të shoqërisë ekzistojnë dy shtresa që bëjnë pjesë në universin imagjinar fetar. Feja është pra edhe një formë imagjinare e botës, që e mëson njeriun të bashkëjetojë paqësisht në shoqëri, duke e edukuar me parimet e tolerancës, dashurisë për tjetrin dhe dialogun. Por, feja është gjithashtu edhe një formë proteste shoqërore, prandaj, në një farë kuptimi, mund të interpretohet edhe si një univers imagjinar ku parimi fetar bëhet mbisundues ndaj normës juridike. Në këtë plan, një ndeshje edhe e dhunëshme midis bartësve të një lloj konceptimi fetar të botës dhe autoritetit të ligjit është gjithmonë e mundshme, megjithëse jo e paevitueshme.

Më tej do të thoshim se feja në përgjithësi ka ndikuar kudo për ta zbutur shtypjen politike dhe diskriminimin ekonomik. Por nga ana tjetër, përgjatë historisë, ajo është mpleksur për arsye të ndryshme me pushtetin politik dhe ka marrë ngjyresa ndonjëherë edhe tepër autoritare nga ky funksion i dytë shoqëror që ka ushtruar si formë legjitimuese e pushtetit. Pavarësisht kësaj rrethane, tekstet e shenjta nuk kanë përfytyruar ndonjë lloj formë konkrete sundimi politik. S’ka qenë kjo detyra e tyre. Prandaj askush nuk mund të legjitimojë forma të ndryshme pushteti politik, duke i konsideruar ato si të prejardhura në mënyrë autentike nga një botëkuptim i caktuar fetar.

Në raport me paqen dhe me dhunën, të gjitha fetë e mëdha monoteiste kanë qenë parimisht pak a shumë në të njëjtat shkallë përafrimi. Natyra e tyre më shumë apo më pak «luftarake», më shumë apo më pak «paqësore» nuk është përcaktuar aq shumë nga ngjizja e tyre botëkuptimore, por nga koniunktura historike «profane», pra tokësore në të cilën ato kanë vepruar dhe veprojnë.

Prandaj, ekstremizmi fetar i çfarëdolloj natyre, krijimi i shtetit fetar, aktet e dhunshme kundër civilëve të pafajshëm dhe të mirave të tyre materiale, në fakt janë një largim i paskrupull dhe i dënueshëm nga parimet genuine të fesë që dashurinë për tjetrin e kanë bazën e bazave të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›