E Diel, 1 Nëntor 2026

Këneta fut këmbët në procesin e legalizimit

26/01/2005  

.

Starton faza e parë për 50 hektarë me shtëpi pa leje

DURRES - Fillon në Durrës procesi i gjatë për legalizimin e banesave të ndërtuara pa leje. Në mjediset e Qarkut, bashkia e Durrësit dhe Co-Plan kanë prezantuar planin për legalizim-urbanizim të zonës informale në Durrës, i cili do të kalojë në disa faza. Ky plan për kryerjen e plotë të fazës së legalizimit në zonën pilot të projektit “Hapa drejt zhvillimit urban të zonës pilot të kënetës” është paraqitur në takimin e organizuar nga Co-Plani në bashkëpunim me bashkinë e qytetit dhe kompaninë private Geo Consulting. Co-Plan në prani të përfaqësuesve të pushtetit vendor, të komunitetit ku do të shtrihet projekti dhe të ambasadës austriake, ka paraqitur planin, i cili parashikon kryerjen e të gjitha fazave për urbanizimin e zonës pilot të projektit të Kënetës. Pas përvojës disavjeçare për urbanizimin dhe menaxhimin e territorit në zonën informale si Bathore, Breg Lumas e Kamëz, specialistët e Co-Planit kanë marrë përsipër të zbatojnë një projekt të tillë në një pjesë të sipërfaqes së Kënetës. Në saj të fondeve prej 50 mijë euro të qeverisë austriake dhe 5 mijë euro të bashkisë së Durrësit Co-Plan ka shtrirë projektin në një sipërfaqe prej 50 ha në Kënetë, ndërkohë që e gjithë toka e zenë me ndërtime pa leje në këtë zonë mendohet se është 300 ha. Specialistët thanë se procesi në fjalë do të mbulojë studimet për 1069 ndërtesa pa leje, 1220 parcela posedimi ku jeton një komunitet prej afro 30 mijë banorë. I gjithë plani përfshihet në pesë faza dhe ajo do të nisë me vetëdeklarimin e shtetasve të ndërtimit të bërë pa leje si dhe të sipërfaqes së zënë. Ajo që kanë vënë në dukje specialistët në këtë takim, por edhe në atë të organizuar nga Qarku, është fakti se qytetarët nuk do të paguajnë asnjë tarifë për plotësimin e formularëve dhe se dokumentacioni do t’u jepet i gatshëm për t’u plotësuar nga kryefamiljarët.

Co-Plan dhe bashkia për zonën e përfshirë në projektin pilot kanë përgatitur të gjithë infrastrukturën e duhur dhe tashmë mbetet vullneti i komunitetit për të nënshkruar deklarimet, të cilat mund të nisen në njësinë më të afërt vendore të tyre, pavarësisht ndarjes administrative. Në të dy tryezat e organizuara për të njëjtin qëllim është thënë se deklarimet e shtetasve për ndërtimet e tyre do të bëhen nga çdo shtetas që nuk e ka të regjistruar pronën në zyrën e regjistrimit të pasurisë. Por, sipas specialistëve, do t’i përkasë një faze tjetër përcaktimi se cilat zona do të cilësohen informale dhe që më pas do të bëhen objekt i urbanizimit. Në Durrës, zonat të cilat kanë pjesën më të madhe të ndërtimeve pa leje janë Këneta, Plazhi dhe Shkozeti, ku edhe janë vendosur pjesa më e madhe e të shpërngulurve nga rrethe të ndryshme të vendit dhe që popullsia pikërisht në këto zona mendohet të kapërcejë shifrën e 60 mijë banorëve. Faza e vetëdeklarimit është e para në procesin që do të zgjasë tre vite dhe se vetëm pasi KRRTRSH të vendosë se cila zonë do të cilësohet formale do të nisë edhe ndërmarrja e planeve urbane. Gjithçka në këtë tryezë është përqendruar te metodologjia e projektit, duke

theksuar se në një komunitet nuk mund të ketë vetëm shtëpi banimi, por edhe rrugë, hapësira publike dhe qendra sociale, kanë deklaruar specialistë të Co-Planit, të cilët kanë kërkuar përkushtim dhe ndërgjegjësim.

Sipas tyre, qëllimi i të gjithë këtij procesi është ndalimi i ndërtimeve pa leje, vendosja e kontrollit të territorit nga njësitë vendore dhe vendosja e barazisë sociale-ligjore. Me përfundimin e projektit, banorët e vendosur në të tilla hapësira informale do të kenë pronë reale mbi truallin dhe do të bëhen pjesë e qytetit. Aty u theksua se për aq kohë sa qytetarët nuk do të kenë një çertifikatë pronësie të nënshkruar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë, të gjitha ndërtimet e tyre të çdolloj karakteri nuk mund të jenë të ligjshme. Prandaj specialistët, krahas strukturave vendore, kërkuan edhe bashkëpunimin me komunitetin. Tryeza theksoi se, nëse ndonjë shtetas nuk do të deklarohet vullnetarisht të plotësojë formularët, banesa e tij do të mbetet e papërfshirë në strategjinë e urbanizimit dhe legalizimit.

Të dhëna

300 hektarë

zona e Kënetës

1069 ndërtesa

janë pa leje në Kënetë

1220 parcela

janë zënë në Kënetë

30 mijë banorë

jetojnë në Kënetë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›