E Diel, 1 Nëntor 2026

FER: Nuk kemi kurrfarë negociatash me Thaçin

Nga Express më 02 shkurt 2011 në ora 12:25

Partia Fryma e Re (FER), nëpërmes një deklarate për shtyp, ka reaguar ndaj “spekulimeve” të paraqitura sot në të përditshmen “Zëri” për gjoja negociata për hyrjen
e kësaj partie të re në qeveri me Partinë Demokratike të Kosovës.

“FER nuk ka zhvilluar e as nuk po zhvillon kurrfarë negociate në këtë drejtim”, thuhet në reagimin shpërndarë sot mediave.

Partia FER përsërit qëndrimin e marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues të kësaj partie, se e konsideron procesin zgjedhor të datës 12 dhjetor 2010, dhe rivotimet vijuese, si një proces të dëmtuar rëndë. “Institucionet e dala nga këto zgjedhje do të kenë një barrë të rëndë të mungesës së legjitimitetit për shkak të parregullsive të shumta”.

“Kosova gjendet në krizën më të madhe institucionale, politike e sociale që nga viti 1999. Të flitet tani për koalicione të brishta në mes të disa partive e individëve është ikje nga
përgjegjësia dhe realiteti. Cilido institucion që del nga këto zgjedhje duhet ta ketë si mandat kryesor organizimin e zgjedhjeve të reja, të lira dhe demokratike”, thuhet më tutje në komunikatë.

“Partia FER dëshiron të potencojë se artikulli i së përditshmes ‘Zëri’ është në kundërshtim me standardet profesionale të gazetarisë. Përkundër mohimeve të zyrtarëve të partisë FER për negociata, artikulli paraqitet me titullin pompoz dhe pohues se FER-i ka hyrë në qeveri, pa dhënë as të vetmen shenjë se FER-i në mënyrë kategorike e ka mohuar. Si gjithmonë, FER-i zotohet për liri të të shprehurit por edhe për transparencë”.

Për çdo vendim, kjo parti thotë se do t’i njoftojë mediat me kohë.

Zëri: FER në qeveri me Thaçin

Bashkëthemeluesit e partisë Fryma e Re (FeR), Ilir Deda dhe Shpend Ahmeti, shumë shpejt mund të zënë pozita të rëndësishme në qeverinë e ardhshme të Kosovës, ngase janë në negociata me pretendentin për të formuar qeverinë e re – Hashim Thaçi.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri”, të afërta me Ahmetin e Dedën, kanë bërë të ditur se dy udhëheqësit e FeR-it tash e sa javë janë duke negociuar me drejtuesit e PDK-së së Thaçit për të hyrë në qeverinë e ardhshme.

“Ata po negociojnë me zyrtarët e lartë të PDK-së, dhe deri tash dihet se për njërin nga ta është premtuar një pozitë e ministrit. Madje ata kanë kërkuar që ta marrin një nga dikasteret shumë të rëndësishme të kabinetit qeveritar- Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave”, ka thënë ky burim i gazetës.

Zëri shkruan se ka disa javë që brenda FeR-it është duke u diskutuar për mundësinë e hyrjes në qeverinë e ardhshme me PDK-në, por i kontaktuar gazeta Shpend Ahmeti ka mohuar se ai dhe Ilir Deda janë duke negociuar me partinë e kryeministrit në largim për të hyrë në qeveri bashkë me ta.

“Prej teje po dëgjoj për këtë. Kam dëgjuar kështu, por s’kemi pasur asnjë kontakt as diskutimi me dikë për këtë çështje. Absolutisht jo. Nuk jemi duke negociuar për këtë çështje. Këtë mund ta them me sigurinë e plotë”, ka thënë ai, duke u arsyetuar se Deda ndodhet jashtë Kosovës.

I pyetur nëse është i gatshëm të pranojë ndonjë pozitë të rëndësishme në qeverinë e ardhshme, po qe se kjo i ofrohet nga PDK-ja, ai ka thënë se “nuk mund të flasë individualisht”, por vetëm në emër të partisë, e që sipas tij, nuk ka pasur takime për diçka të tillë.

Negociatat ndërmjet PDK-së dhe FER-it për qeverisjen e ardhshme nuk i kanë konfirmuar as zyrtarët e partisë më të madhe në vend. Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka thënë të mos jetë në dijeni për ndonjë negociatë konkrete ndërmjet partisë së tij dhe FeR-it. “Unë nuk e di këtë”, ka thënë Kuçi, kur është pyetur për hyrjen eventuale të FeR-it në qeverinë e ardhshme.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›