E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinis mësimi në gjimnazin “Sami Frashëri”

Nga Albulena Maloku më 02 shkurt 2011 në ora 13:09

(E plotësuar) Mësimdhënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë i janë rikthyer mësimit, pas garancive që kanë marrë nga ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, se pagat e premtuara me rritje, do të merren në mënyrë retroaktive, sapo të miratohet buxheti.

Ministri Hoxhaj, gjatë takimit me drejtorin e shkollës, mësimdhënës dhe sindikalistë, ka shpjeguar se nuk bëhet fjalë për anulim të vendimit, për rritje pagash.

Osman Beka, drejtor i gjimnazit, tha se ministri dha garanci të fuqishme, se rritjet do të paguhen, sapo të miratohet buxheti, andaj shkolla do të fillojë mësimin në ndërrimin e pasdites.

Një sindikalist i këtij gjimnazi, i cili ka qenë në takim me ministrin Hoxhaj, por nuk dëshiron t’i përmendet emri në gazetë, i tha Expressit se ministri Hoxhaj madje është zotuar se do të japë dorëheqje nëse vendimi për rritje të pagave nuk implementohet.

Sidoqoftë, lajmi i dhënë paradite për ndërprerjen e mësimit, ka bërë që në orën 13, kur nis ndërrimi i pasdites, në shkollë të mos paraqitet pothuajse asnjë nxënës.

SBASHK-u s’e mbështet grevën

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Shkollave të Kosovës (SBASHK), Ali Shabanaj, ka konfirmuar se në gjimnazin “Sami Frashëri” të kryeqytetit ka nisur greva, në shenjë pakënaqësie me mospagesën e rritjes së premtuar të pagave në janar.

Po ashtu në grevë janë edhe një pjesë e mësimdhënësve të gjimnazit "Eqrem Çabej".

Por Ali Shabanaj ka përsëritur se sindikata që tubon mësimdhënësit nuk e mbështet grevën në këtë moment. Ai tha se gjimnazi “Sami Frashëri” nuk është pjesë e SBASHK-ut.

Në një konferencë me gazetarë, ai ka thënë se do t’i jepet Qeverisë kohë edhe një muaj, deri në miratimin e buxhetit, dhe nëse as atëherë nuk realizohet ngritja e rrogave, do të ndërmarrin vetë masa.

Ndërsa kryesindikalisti Haxhi Arifi pret reagimi i vendimit të Qeverisë për rritje rrogash pas miratimit të Buxhetit. Ai tha se për këtë çështje do të takohet me ambasadorin amerikan Christopher Dell dhe me përfaqësues të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare. Arifi tha se është për realizimin e kërkesave nëpërmjet dialogut dhe forma e fundit do të jetë greva dhe protesta.

Gjimnazi “Sami Frashëri” në grevë

Mos rritja e rrogave për muajin shkurt sikurse kishte premtuar Qeveria e Kosovës ka bërë që arsimtarët e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë të futen në grevë.

Një burim nga ky gjimnaz ka thënë për Express se arsimtarët kanë ndërprerë mësimin që në orët e hershme të mëngjesit, por jo të gjithë gjimnazet e Prishtinës janë futur në grevë.

Shef i arsimit në Komunën e Prishtinës, Resik Beqiri, ka thënë për Express së është vetëm ky gjimnaz që ka marrë këtë vendim por ai nuk ka garantuar se këtë nuk do ta bëjnë edhe shkollat e tjera.

“Ne sapo jemi informuar se Sindikata e Gjimnazit ‘Sami Frashëri’ ka marrë vendim për hyrje në grevë. Në shkollat e tjera, si fillore ashtu edhe të mesme mësimi është duke u zhvilluar normalisht”, ka thënë Beqiri.

Lajmin për fillimin e grevës e ka konfirmuar për koha.net edhe edhe Ali Shabani, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Shkollave të Kosovës, sindikatës më të madhe në vendin tonë.

Ai ka paralajmëruar një konferencë shtypi për orën 10.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›