E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ i këshillon kosovarët të kthehen nga Egjipti

Nga Express më 02 shkurt 2011 në ora 13:50

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ) ka reaguar për herë lidhur me protestat që kanë nisur tashmë më shumë se një javë në Egjipt, duke i udhëzuar qytetarët e Kosovës me qëndrim në Egjipt që të kthehen në vend.

MPJ, nëpërmes një komunikate shtypi, thotë se po "e ndjek me vëmendje kursin e ngjarjeve të fundit në Egjipt".

"Në mungesë të marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Egjiptit, MPJ e Kosovës po vepron nëpërmjet kanaleve të saj diplomatike në vendet e afërta që t’i ndjek nga afër zhvillimet e situatës. Nga informacioni i pranuar merret vesh se në Egjipt, kryesisht në kryeqytetin Kairo janë rreth 30 shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët në kushtet e krijuara rishtazi janë të paprekur dhe mirë me shëndet", thuhet në komunikatë.

Shtetasit e Kosovës janë rigrupuar dhe kanë lëvizje shumë të kufizuar. Duke qenë kryesisht studentë, disa janë tubuar me studentë të shteteve tjera dhe të tjerë janë rigrupuar në lagjet e kryeqytetit Kairo.

Dy shtetas kosovarë, studentë në Kairo, janë evakuuar me anë të ambasadës së Republikës së Shqipërisë. Mbrëmë vonë dy studentët janë asistuar nga personeli i ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë dhe kanë mbërritur në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës i këshillon qytetarët e Kosovës të mos udhëtojnë për në Egjipt, ndërsa atyre me qëndrim në Egjipt iu sugjeron të kthehen në vend.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›