FFK do të hetojë gjykimet e dyshimta
Duket se gjyqtari Muhedin Ferati, i cili javëve të fundit po akuzohet nga disa klube se po i ndihmon Hysit të bëhet kampion, nuk do të shpëtoj pa u hetuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Madje, Komiteti Ekzekutiv (KE) i shtëpisë së futbollit kosovar, pas mbledhjes së vetë që e ka mbajtur të martën, ka paralajmëruar se çdo gjykim që është përfolur, pavarësisht se kush kanë qenë gjyqtarët, do të hetohen.
“Sa u përket kritikave ndaj gjyqtarëve, KE siguron të gjithë se organet relevante të FFK-së do të merren seriozisht dhe me këmbëngulësi që me analiza profesionale të marrë vendime për cilësinë e gjykimeve në përgjithësi dhe të individëve në veçanti dhe në përputhje me faktet e gjetura do të marrë edhe vendimet meritore”, thuhet në një njoftim të FFK-së.
Sipas këtij njoftimi, organi më i lartë i shtëpisë së futbollit kosovar ndihet i shqetësuar edhe me deklarimet nëpër media të disa zyrtarëve të klubeve të cilët akuzojnë njëri-tjetrin për kurdisje të rezultateve.
“Me këtë rast u bën thirrje edhe një herë të gjithë atyre që posedojnë fakte dhe prova për kurdisje të ndeshjeve t’i paraqesin në organet e FFK-së, të cilat do t’i marrin të gjitha masat e duhura konform akteve normative të FFK-së, sikurse edhe në të kaluarën kur këto fakte janë paraqitur në organet e FFK-së”, thuhet në njoftim.