E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitore kundër Bosnjës

Kombëtarja shqiptare i ka nisur stërvitjet për ndeshjen e radhës kualifikuese për ‘Euro 2012’, që do ta zhvillojë më 7 qershor ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës. Kuqezinjtë besojnë se mund t’i fitojnë tri pikë të plota ndaj boshnjakëve, nëse luajnë sikurse kundër Bjellorusisë. Nga Express më 01 qershor 2011 në ora 12:14

Futbollistët Kombëtares së Shqipërisë të martën i kanë nisur stërvitjet për ndeshjen e radhës kualifikuese për ‘Euro 2012’, të cilin do ta zhvillojnë më 7 qershor në Zenicë ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës.

Kuqezinjtë janë të vetëdijshëm se nuk do ta kenë aspak të lehtë si mysafirë të boshnjakëve. Por ata janë të bindur se mund ta fitojnë këtë duel në qoftë se luajnë ashtu sikurse që luajtën në ndeshjen e fundit eliminatore ndaj Bjellorusisë.

“Është e vështirë, por kam besim tek grupi. Grupi ynë tani në futbollin modern po jep rezultate pozitive. Duhet të bëjmë më të mirën dhe të shohim nëse mund të marrim tri pikët. Nëse në Bosnje e bëjmë ndeshjen që bëmë ndaj Bjellorusisë, atëherë jo vetëm një pikë, por kemi mundësi t’i fitojmë maksimumin e pikëve”, ka thënë sulmuesi i Paderbornit, Edmond Kapllani.

Motivi në kampion kuq e zi është shtuar edhe më shumë pasi ekipit iu kanë rikthyer nga lëndimet Debatik Curri e Edmond Kapllani, por edhe disa lojtarë tjerë që më parë munguan shkaku i kartonëve.

“Çdo lojtar është i rëndësishëm në Kombëtare. Ardhja e lojtarëve që kishin kartonë apo që ishin të lënduar si Curri e Dallku është diçka shumë pozitive për ekipin tonë”, ka pohuar mbrojtësi i Tiranës Andi Lila.

Shqipëria bën pjesë në Grupin D. Lider i këtij grupi aktualisht është përfaqësuesja e Francës me 12 pikë të tubuara. Vendin e dytë e zë Bjellorusia me tetë pikë, sa kanë edhe kuqezinjtë në vendin e tretë. Ndërsa, Bosnja dhe Hercegovina pozicionohet në vendin e katërt me shtatë pikë, derisa Rumania është e pesta me pesë pikë. Vendin e fundit e zë Luksemburgu me vetëm një pikë të tubuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›