Trepça mposht kampionët e Sigal Prishtinës

Trepca ka shënuar edhe fitoren e gjashtë radhazi në Siguria Superligë për të vazhduar kryesimin e kampionatit kosovar të basketbollit. Mitrovicasit kanë mposhtur kampionët e Sigal Prishtinës në ndeshjen e zhvilluar në palestrën e sporteve "Minatori" në Mitrovicë para afro 3 mijë shikuesve me rezultatin 102:99. Ndeshja ka qenë e ekuilibruar pothuajse gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa epërsia maksimale e njërës apo tjetrës skuadër nuk ka shkuar më shumë se shtatë pikë. Vendasit fitoren e kanë siguruar në dy minutat e fundit të takimit. Organizatori i mitrovicasve Edin Nurkanoviq ka vendosur fatin e ndeshjes me gjashtë pikë të shënuara nga vija e gjuajtjeve të lira në dy minutat e fundit të ndeshjes. Basketbollisti boshnjak në fakt ka qenë më i merituari për fitoren e skuadrës së tij duke shënuar 33 pikë.
"U angazhuam maksimalisht dhe shënuam fitore që do të thotë shumë për vazhdim të mbarë të kampionatit. Poashtu në fitore ndikoj edhe përkrahja nga tifozët që u vërtetua edhe një herë se është lojtari ynë i gjashtë", ka thënë pas ndeshjes Nurkanoviq. Edhe dy boshnjakët e tjerë të Trepcës. Amir Delaliq me 22 pikë të shënuara dhe Fikret Hanxhiq me 20 kanë kontribuar në fitoren e "xehetarëve", ndërsa Ilir Selmani ka shënuar 17 pikë. Te skuadra kampione dy vëllezërit Anthony e Frenk Drejaj kanë shënuar shumicën e pikëve. Anthony e ka përfunduar ndeshjen e 29 pikë të shënuara, ndërsa Frenk ka shtuar 20.
Bambi i rikthehet fitoreve
Skuadra tjetër mitrovicase, Bambi, i është rikthyer fitoreve pas humbjes së parë të pësuar në parket në xhiron e kaluar nga Peja. Skuadra minoritare nga pjesa veriore e Mitrovicës ka arritur që të shënojë fitore ndaj Kastriotit në palestrën e sporteve "Bill Klinton" në Ferizaj me rezultatin 82:75. Vendasit e Kastriotit ishin të dobësuar në këtë përballje nga mungesa e Muhamet Thaqit, ndërsa në vend të tij është aktivizuar veterani Aleksandër Damo.
Fitorja e parë e Vllaznimit
Skuadrës së Vllaznimit i janë dashur gjashtë ndeshje për të arritur që të shënojë fitoren e parë në kampionat. Gjakovarët kanë fituar derbin e skuadrave të fundit të tabelës duke mposhtur Bashkimin në "Sezai Surroi" të Prizrenit me rezultatin 74:65. Në ndeshjen e ardhshme Vllaznimi do të presë skuadrën e Dritës së Gjilanit ndërsa bashkimi do të udhëtojë në Pejë.
Rezultatet
Trepca – Sigal Prishtina 102:99
Bashkimi – Vllaznimi 65:74
Kastrioti – Bambi 75:82
Të enjten
AS Prishtina – Peja ora 20:00
Drita – X Prishtina ora 20:00
1. Trepca 6 6 0 427:337 12
2. Sigal Prishtina 5 4 1 455:383 9
3. Kastrioti 6 3 3 456:458 9
4. Peja 5 3 2 445:376 8
5. AS Prishtina 5 3 2 400:335 8
6. Bambi 4 3 1 337:340 7
7. X Prishtina 5 2 3 356:394 7
8. Vllaznimi 6 1 5 425:473 7
9. Bashkimi 6 1 5 378:494 7
10. Drita 5 1 4 351:440 6